Shtyhet nisja e gjykimit ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqit

11:35 | 19 Shtator 2024
shtyhet-nisja-e-gjykimit-ndaj-ish-kryeshefit-te-kek-ut,-nagip-krasniqit

Është shtyrë seanca fillestare ndaj ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqit.

Seanca është shtyrë me kërkesë të mbrojtjes, pasi të njëjtit kanë thënë se nuk i kanë të gjitha provat e lëndës, teksa seanca e radhës është caktuar më 8 tetor.

Ish-kryeshefi i KEK-ut dyshohet për veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare”, aktakuzë e ngritur nga Prokuroria Speciale më 19 gusht të këtij viti.

Sipas aktakuzës, Krasniqi duke filluar nga 15 tetori i vitit 2021 e në vazhdimësi, deri më 19 prill 2023, në cilësinë e personit zyrtar, dyshohet se ka kryer veprën penale “keqpërodrim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Ai ishte arrestuar më 19 prill, nën dyshimet për tri vepra penale, të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, ushtrimit të ndikimit dhe konfliktit të interesit. Rasti përfshin dy kontrata njëburimore në vlerë 3.5 milionë euro.

Pas arrestimit, atij i ishte pezulluar pozita në krye të KEK-ut.

Krasniqi ishte liruar nga paraburgimi, me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë në shtator të 2023-ës.

Komento: