Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, me protestë mbështet punëtoret teknike të Kuvendit

14:56 | 20 Shtator 2024
kolektivi-per-mendim-dhe-veprim-feminist,-me-proteste-mbeshtet-punetoret-teknike-te-kuvendit

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka protestuar para Kuvendit të Kosovës për t’u solidarizuar në veçanti me punëtoret teknike të Kuvendit, të cilat kanë hyrë në grevë këtë javë.

“Çka bon njeri me 275 euro n ‘Kosovë”, “Deputetët rrogën 2000 euro, punëtoret teknike 275”, “Punëtorët teknikë të kalojnë në sektorin publik ndal PPP-të”, “Punëtoret teknike e mbajnë Kuvendin”, “Punëtoret nuk janë mall”, ishin disa nga sloganet që ishin zgjedhur për të shprehur revoltën protestuesit.

Përfaqësuesja e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist, Fjolla Muçaj tha se përmes kësaj proteste po shprehin solidaritetin me grevën e punëtoreve teknike të Kuvendit, raporton KP.

Ajo tha se këto punëtore kanë kushte të tmerrshme të punës.

Teksa shprehu mbështetjen e kërkesave të këtyre punëtoreve teknike të Kuvendit të Kosovës, Muçaj shpalosi edhe kërkesat konkrete që i kanë ato.

“I ri përsërisim këtu kërkesat e grevisteve e që janë: Rroga mujore 550 euro, pagesë të rregullt kontributeve, kushte pune të dinjitetshme e që nënkuptojnë ndalim të menjëhershëm të dhunës psikologjike, presionit dhe degradimit që iu bëhet. Ne i mbështesim këto kërkesa dhe përpjekjen e tyre për kushte më të mira. Ne jemi këtu dhe do të vazhdojmë me ardhë këtu kurdo që kërkohet, për të lypë drejtësi për punëtoret, kushte të dinjitetshme pune”, tha ajo.

Në orën 13:30 ka nisur takimi në mes të përfaqësueses të punëtoreve teknike dhe kryetarit të Sindikatës të Sektorit Privat, Jusuf Azemit me zëvendëskryetaren e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevcin dhe me Ilir Kërçelin, këshilltarin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Pas takimit pritet të ketë prononcime për medie.

Që nga kjo e hënë punëtoret teknike të Kuvendit të Kosovës kanë hyrë në grevë. Kërkesa e tyre kryesore është rritja e pagës nga 275 në 550 euro.

E gjatë muajit korrik këto punëtore patën protestuar para Kuvendit të Kosovës.

Komento: