Naim Berisha zgjedhet ushtrues detyre i drejtorit të Institutit Albanologjik në Prishtinë

20:02 | 20 September 2024
naim-berisha-zgjedhet-ushtrues-detyre-i-drejtorit-te-institutit-albanologjik-ne-prishtine

Instituti Albanologjik i Prishtinës, ka njoftuar se Naim Berisha është zgjedhur u.d. të drejtorit të këtij instituti.

“Në mbledhjen e mbajtur më 20 shtator 2024, pas propozimit të Këshillit Shkencor, Këshilli Drejtues ka zgjedhur prof. asoc. dr. Naim Berishën u.d. të drejtorit të Institutit Albanologjik”, thuhet në njoftim.

Instituti Albanologjik dha edhe një biografi të shkurtër për Naim Berishën.

Dr. Naim Berisha është bashkëpunëtor i lartë shkencor në Institutin Albanologjik në Prishtinë nga viti 2008, në Degën e Gjuhësisë. Gjatë kësaj periudhe kohore ka kryer disa detyra: Shef i Degë së Gjuhësisë (1.9.2019 -1.9.2023); Anëtar i Këshillit Drejtues të Institutit Albanologjik (1.11.2019 – 31.10.2023); Anëtar i Këshillit Shkencor të Institutit Albanologjik 2016-vijon; Anëtar i Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe (që nga 21 shkurt 2020); Anëtar i redaksisë së revistës “Gjurmime Albanologjike” (numrat 49, 50, 51, 52); Anëtar i Këshillit Kombëtar Shkencor i Projektit “Gjuha Shqipe dhe Kompjuteri (2020-2021); Fjalori i Madh i Gjuhës shqipe – Përgjegjës për kartotekën e leksikut në Kosovë; Fjalori i Madh i Gjuhës shqipe – Hartues. Fushat e tij të studimit janë: leksikologjia, leksikografia, dialektologjia, sociolinguistika, kultura e gjuhës etj.

Ka qenë i angazhuar si asistent dhe ligjërues në Fakultetin e Edukimit të Universitetit të Prishtinës dhe në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prizrenit. Veprimtaria e tij shkencore dhe arsimore numëron 7 libra të botuar (botime shkencore, tekste shkollore); 75 njësi bibliografike – studime, trajtesa, artikuj, recensione etj.

Komento: