Abdixhiku kujton Ahmet Krasniqin: Emri i tij mbetet gurthemel i krijimit të shtetit të Kosovës

09:05 | 21 Shtator 2024
abdixhiku-kujton-ahmet-krasniqin:-emri-i-tij-mbetet-gurthemel-i-krijimit-te-shtetit-te-kosoves

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka kujtuar kolonel Ahmet Krasniqin, në 26-vjetorin e vrasjes së tij.

Abdixhiku është shprehur se emri i Krasniqit, mbetet gurthemel i krijimit të shtetit të Kosovës i cili vuri bazat e themelimit të vijës institucionale ushtarake të Republikës së Kosovës, përcjell Klankosova.tv.

“Shtatori i vitit 1998 u bë i kobshëm me lajmin për vrasjen e Kolonel Ahmet Krasniqit, atdhetarit të shquar dhe intelektualit të pashoq. Kolonel Ahmet Krasniqi, ushtaraku e strategu profesionist, intelektuali i rrallë e misionari i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, ishte ai që i vendosi bazat e ushtrisë së Kosovës. U emërua ministri i parë i Mbrojtjes, me besimin dhe bekimin e Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova, Komandantit Suprem të Republikës së Kosovës. E po ashtu bëri organizimin ushtarak, strategjik dhe logjistik, duke i ndihmuar luftës edhe përmes furnizimit me arsenal ushtarak. Emri i tij mbetet gurë-themel i krijimit të shtetit të Kosovës i cili vuri bazat e themelimit të vijës institucionale ushtarake të Republikës së Kosovës; si Ministër i parë i Mbrojtjes. Ai për meritat për luftën dhe çlirimin e vendit është shpallur Hero i Kosovës. Dija, përvoja dhe guximi i tij ishin vlera të rrugëtimit tonë për liri, pavarësi dhe demokraci”, ka shkruar kreu i LDK-së.

Tutje, Abdixhiku shton se vrasja e Krasniqit është humbje e madhe e kombit, dhe se ‘kjo thellohet edhe më tej nga mos zbardhja e këtij akti kriminal’.

Komento: