Deputeti i VV-së: KEK-u ka bërë të gjitha përgatitjet për sezonin e dimrit

18:25 | 30 Shtator 2024
deputeti-i-vv-se:-kek-u-ka-bere-te-gjitha-pergatitjet-per-sezonin-e-dimrit


Enver Haliti, deputet  nga Lëvizja Vetëvendosje,  ka deklaruar se dimri sjell një rritje të konsiderueshme të konsumit të energjisë elektrike, për shkak se shumë qytetarë përdorin energjinë për ngrohje, pasi alternativat e tjera janë të kufizuara.

“Është e ditur që stina e dimrit shënon rritje të konsumit të energjisë elektrike, sepse një numër i madh i qytetarëve të Kosovës përdorin energjinë elektrike për ngrohje, në mungesë të alternativave tjera’’, tha Haliti për FrontOnline.

Ai theksoi se KEK-u ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për sezonin e dimrit dhe se çmimi aktual i energjisë në bursë është i ulët. Haliti beson se me këto përgatitje, edhe ky dimër do të kalojë pa ndonjë problem të madh në furnizim.

“KEK-u ka bërë të gjitha përgatitjet për sezonin e dimrit, ndërsa çmimi aktual i energjisë në bursë është mjaft i ulët, besoj që edhe ky dimër do të kalojë pa ndonjë problem”, përfundoi Haliti.

Komento: