Njohësi i çështjeve të politikës, Artan Muhaxhiri, ka komentuar thirrjen e Prokurorisë Speciale për kryeministrin Albin Kurti, duke e konsideruar kohën e ftesës si shumë të çuditshme.
‘’ Koha e ftesës është shumë e çuditshme’’, tha Muhaxhiri.
Ai ka theksuar se ky proces ka vite që po zhvillohet dhe ka mundësi që kjo thirrje të kishte ardhur në një kohë më pak problematike. Muhaxhiri ka shpjeguar se fushatat zgjedhore janë gjithmonë një periudhë jashtëzakonisht e veçantë dhe e ngarkuar, dhe për këtë arsye, ftesa mund të hiperbolizohet, interpretohet ose devijohet në mënyra të ndryshme, edhe nëse është pjesë e një procedure të zakonshme.
‘’ Ky proces ka vite që po zhvillohet dhe mendoj që ndoshta edhe ka pasur mundësi që kjo ftesë të vijë në një kohë më joproblematike sepse fushatat zgjedhore gjithmonë janë një kohë jashtëzakonisht e veçante kështu që mund të hiperbolizohet mund të interpretohet mund të devijohet edhe në qoftë se është procedurë e zakonshme’’, tha tutje Muhaxhiri.
Ai ka theksuar gjithashtu se kryeministri ka një obligim ligjor dhe moral t’i përgjigjet kësaj ftese, për të treguar respekt për institucionet e drejtësisë dhe për të shpjeguar rolin e tij eventual në këtë proces. Muhaxhiri ka vënë në dukje se ky proces është shumë i dëmshëm për qeverinë dhe për besueshmërinë e institucioneve të Kosovës, pasi bëhet fjalë për një aferë korruptive me pasojat shumë të mëdha dhe një temë shumë delikate, siç janë rezervat shtetërore.
‘’ Kryeministri e ka edhe obligim edhe ligjor edhe moral t’i përgjigjet kësaj ftese dhe ta dëshmojë respektin për institucionet e drejtësisë dhe ta shpjegojë rolin e tij eventual në këtë proces, i cili është shumë i dëmshëm për qeverinë, por edhe besueshmërinë në institucione të Kosovës sepse bëhet fjalë për një aferë korruptive të përmasave shumë të mëdha dhe me temë shumë delikate siç janë rezervat shtetërore’’, përfundoi Muhaxhiri.