Ramadan Nishori, burri i parë që rrëfen se si ishte dhunuar gjatë luftës në Kosovë

13:08 | 14 Prill 2025
ramadan-nishori,-burri-i-pare-qe-rrefen-se-si-ishte-dhunuar-gjate-luftes-ne-kosove

Ramadan Nishori bëhet burri i parë që e bën publik rrëfimin e tij si i mbijetuar i dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Nishori, në një rrëfim në Ditën Memoriale të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës, tha se ishte dhunuar nga policët serbë në vitin 1998, derisa po mbahej në stacionin policor në Drenas.

“Jam një burrë. Po mundohen të bëjë një jetë normale, kam bashkëshorten dhe tre fëmijë që janë gjithçka për mua. Dua të më shohin si një njeri që kam kaluar shumë gjëra dhe nuk jam thyer kurrë. Nuk dua të më shohin me keqardhje për torturën që kam përjetuar”, tha Nishori.

Ai tha se gjatë asaj kohe ishte 21-vjeçar.

“Isha 21 vjeçar, u patëm larguar nga shtëpia dhe patëm shkuar tek dajët. Më 26 shtator një ofensivë na detyroi që të largohemi. Duke na zbritur nga kamionët na shanin, na fyenin dhe na rrihnin. Na pyetnin për UÇK-në. Pas pak kanë filluar ta bëjnë testin e parafinës, duke pritur në korridor, duke lëviz policia na kanë rrahur. Kanë ardhur dy policë, më kanë ngre zvarrë dhe më kanë futur në një banjo dhe aty ndodhi më e keqja që mund t’i ndodh një njeriu. Njëri më dhunoi, duke u përgatitur i dyti. Nga bërtimat e mia një shqiptar më nxori nga aty”, rrefeu ai.

“Më kanë marrë në pyetje ata policët civilë, filluan të më kërcënojnë që mos me tregoj se çka më ka ndodhur. Ai shqiptari më përcolli deri tek dera dhe u ulën në garazhin e stacionit. Të nesërmen e kanë bërë një listë, na hypën në autobus dhe na sollën në burgun e Prishtinës. Kam qëndruar tre muaj e gjysmë, prej atij burgu me kanë transferuar në burgun e Lipjanit edhe aty kam pasur maltretime që nuk mund ta merr mendja e njeriut.”

Nga Fushë Kosova, ku tha se jetonte me qira pas lirimit nga burgu, Ramadan Nishori tha se për një kohë kishte vendosur të shkonte për të jetuar në Malin e Zi, pasi disa herë kishte dashur të paraqitej në organizatën që i mbron të mbijetuarit e dhunës seksuale, por s’kishte mundur të futej brenda.

Shkak që ai ishte sot para një publiku të gjerë është Vasfije Krasniqi, gruaja e parë që para disa vitesh bëri publik rrëfimin e saj si e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës.

Ai tha se me ndihmën e Krasniqit e mori guximin të ndajë me publikun rrëfimin e tij të tmerrit të shtatorit 1998.

Komento: