
Sot, me fillim nga ora 10:00, Kuvendi i Kosovës do të vazhdoj seancën e ndërprerë të shtunën, e ku pritet të diskutohet dhe të vendoset për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, një çështje që ka mbetur e pazgjidhur pas dy tentimeve të pasuksesshme të javës së kaluar.
Në rend dite, kjo pikë mbetet e paqartë, sidomos pas dështimeve për të zgjedhur kandidaten e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu.
Lëvizja Vetëvendosje, e cila ka propozuar Haxhiun për këtë pozitë, ka theksuar se për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit është i nevojshëm konsensusi ndërmjet partive parlamentare.
Subjekti më i madh politik në vend ka bërë thirrje për konsensu, sipas tyre me qëllim të tejkalimit të bllokadës aktuale dhe për të siguruar funksionimin e plotë të institucioneve të vendit.
Se nuk do të votojnë për kandidatin e VV-së, Albulena Haxhiun, e kanë rikonfirmuar përseri partitë opozitare.
Madje, LDK ka deklaruar se nuk do të merr pjesë në takim.
Bajqinovci: Nuk e ndryshojmë kandidaten për kryetare të Kuvendit
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka konfirmuar sot se partia e tij nuk ka në plan të ndryshojë kandidaten për postin e Kryetares së Kuvendit të Kosovës, pavarësisht dy dështimeve të mëparshme për zgjedhjen e saj.
“Jo, jo nuk e ndryshojmë kandidaten. Mbetet Albulena Haxhiu përsëri,” u shpreh shkurt Bajqinovci për FrontOnline, duke e bërë të qartë qëndrimin e Vetëvendosjes për të vazhduar me kandidaturën e Haxhiut.
Demaku i PDK-së: Do të marrim pjesë në seancë, pastaj e shohim si rrjedhin gjërat
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Fadil Demaku, për FrontOnline ka folur shkurtimisht për qëndrimin e subjektit të tij politik lidhur me seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ku në rend dite është zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit.
“Nuk mundem me thënë se çka do të ndodhë. Në seancë do të marrim pjesë, pastaj e shohim si po rrjedhin gjërat,” deklaroi Demaku për FrontOnline, duke lënë të hapur mundësinë për zhvillime të ndryshme gjatë seancës
Time Kadrijaj: Qëndrimi për votimin e Kryetarit të Kuvendit vendoset sot në grup parlamentar
Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj, për FrontOnline ka deklaruar se partia e saj ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar lidhur me qëndrimin që do të mbajë në votimin për Kryetarin e Kuvendit të Kosovës.
“Sot në takim të grupit parlamentar vendosim,” tha shkurt Kadrijaj për FrontOnline, duke lënë të kuptohet se AAK do ta përcaktojë qëndrimin e saj pas diskutimeve të brendshme mes deputetëve të grupit.
Kjo deklaratë vjen në prag të vazhdimit të seancës së Kuvendit, ku në rend dite është zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit – një proces që ka mbetur i bllokuar pas dy dështimeve për të zgjedhur kandidaten e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu. Roli i partive opozitare pritet të jetë vendimtar nëse do të arrihet ose jo një konsensus për zhbllokimin e këtij procesi.