
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pritet që brenda kësaj jave të shpallë datën zyrtare për mbajtjen e zgjedhjeve lokale. Pavarësisht se data ende nuk është zyrtarizuar, burimet e FrontOnline thonë se zgjedhjet për Komuna pritet të mbahen më 19 ose 26 tetor të këtij viti. Partitë politike kanë nisur tashmë përgatitjet dhe kanë filluar të konfirmojnë kandidatët e tyre për disa nga komunat më të mëdha dhe më strategjike në vend.
Në Prishtinë, gara për kryetar komune pritet të jetë e ashpër, ku Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) do të rikandidojë me Perparim Ramën. Në Gjilan, gjithashtu pritet një garë interesante mes kandidatit të LDK-së, Arber Ismaili, dhe kandidatit aktual nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Alban Hyseni. Edhe në Podujevë, ku aktualisht udhëheq Shpejtim Bulliqi nga LVV, pritet një përballje me kandidatin e LDK-së, Ekrem Hyseni.
Në Malishevë, Nisma Socialdemokrate do të garojë me Ekrem Kastratin, ndërsa në Deçan, kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bashkim Ramosaj, do të përballet me dy kundërshtarë: Natyra Kuçi nga Partia Socialdemokrate (PSD) dhe Shkumbin Demalijaj nga Iniciativa e Deçanit, një ish-deputet i AAK-së. Në Klinë, kryetari aktual Zenun Elezaj nga AAK do të kërkojë një tjetër mandat, ndërkohë që flitet se Partia Demokratike e Kosovës (PDK) mund të garojë me Sokol Bashotën.
Ndërsa për Mitrovicën dhe Ferizajn ende nuk janë konfirmuar emrat e kandidatëve, në disa komuna të tjera situata tashmë është më e qartë. Në Pejë, LDK-ja do të garojë me Gazmend Muhaxherin, ndërsa në Lipjan me Imri Ahmetin – dy kryetarë aktualë që kërkojnë edhe një mandat të ri.
Pritet që në ditët në vijim, përveç shpalljes së datës nga Presidentja Osmani, partitë politike të zyrtarizojnë edhe emra të tjerë dhe të nisin fushatën joformale në terren.
Zyra e kryetarit Agim Aliu: Jemi në punë, vendimin për kandidaturën do ta marrin forumet partiake pas shpalljes së datës së zgjedhjeve
Ndërkohë që pritet që Presidentja Vjosa Osmani të caktojë brenda kësaj jave datën për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, nga Zyra e Kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, është dhënë një reagim i shkurtër lidhur me të ardhmen politike të tij dhe mundësinë e një rikandidimi.
“Ne jemi në punë, por këto forumet partiake do të përcaktojnë pas datës së zgjedhjeve,” thane shkurt për FrontOnline nga Zyra e Kryetarit Aliu.
Kjo deklaratë lë të hapur mundësinë që Agim Aliu, i cili aktualisht udhëheq komunën si pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), të jetë sërish kandidat për një mandat të ri, por pa e konfirmuar zyrtarisht këtë ambicie.
Sipas zyrës së tij, vendimi përfundimtar do t’i takojë forumeve të brendshme të partisë dhe do të merret pas shpalljes së datës së zgjedhjeve nga presidentja.
Smajl Latifi do të rikandidojë për kryetar të Rahovecit – AAK synon një tjetër mandat
Shefi i Zyrës së Kryetarit të Komunës së Rahovecit, Ardit Halilaj, për Front Online ka konfirmuar zyrtarisht se kryetari aktual, Smajl Latifi, do të jetë sërish në garë për zgjedhjet e ardhshme lokale.
Sipas Halilajt, Latifi do të kërkojë edhe një mandat tjetër në krye të komunës, duke u mbështetur në punën e bërë dhe përkrahjen që ka në terren.
“Po, Smajl Latifi do të jetë prapë kandidat për kryetar të Komunës së Rahovecit dhe pritshmëritë për t’u zgjedhur z. Latifi edhe për një mandat janë të mëdha. Po punojmë në vazhdimësi në këtë proces,” ka deklaruar Halilaj.
Latifi, i cili vjen nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka shërbyer më shumë se një mandat si udhëheqës i kësaj komune
Bashkim Ramosaj konfirmon kandidaturën: Do të jem sërish kandidat për kryetar të Deçanit – pres të jem kryetari më i votuari në Kosovë
Kryetari aktual i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, për FrontOnline e ka konfirmuar se do të rikandidojë për një tjetër mandat në krye të kësaj komune në zgjedhjet lokale që pritet të shpallen së shpejti.
Ramosaj, që vjen nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), është shprehur i bindur në fitoren e tij, duke theksuar se ka mbështetjen e qytetarëve dhe besimin për të vazhduar punën e nisur.
“Do të jem kandidat për kryetar të Deçanit. Besoj se do të jem prapë kryetar i Deçanit, për ndryshe nuk isha hy në garë. Pres të jem kryetari më i votuar në Kosovë,” ka deklaruar Ramosaj.
Pavarësisht konkurrencës që pritet në këtë komunë, përfshirë emrat e përmendur si Natyra Kuçi nga PSD dhe Shkumbin Demalijaj nga Iniciativa e Deçanit, Ramosaj shfaqet i sigurt për fitoren.
Xheladini: Do të jem kandidat i LDK-së për Dragash, pritshmërit janë të zgjedhem prap kryetar
Bexhet Xheladini për FrontOnline ka konfirmuar se do të rikandidojë për kryetar të Komunës së Dragashit në zgjedhjet lokale të ardhshme.
Ai ka bërë të ditur se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka marrë vendim që ta kandidojë sërish, ndërsa ai do të jetë edhe bartës i listës për asamblenë komunale.
“LDK ka vendos që unë jem kandidat për Dragashin dhe do të jem edhe bartës i listës. Pritshmëritë e mia janë që të jem prapë kryetar i Dragashit,” ka deklaruar Xheladini për FrontOnline.