
Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, është shprehur i habitur me disa veprime të deputetëve në Kuvendin e Kosovës.
Ai ka vlerësuar se me këto veprime Kuvendi i Kosovës po bëhet i çuditshëm.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shtruar disa pyetje.
Postimi i plotë i Gashit:
Rregullorja nuk lejon debat!?
Mirë se vini në parlamentarizmin tonë të çuditshëm – ku deputetët janë të ftuar të heshtin, partitë ftohen të mos komunikojnë, dhe zgjidhjet pritet të bien nga qielli!
Na thuhet se “rregullorja nuk lejon debat për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit”. Po kush e ndalon debatin për gjendjen politike? Kush e ndalon idenë? Apo ndoshta frika nga fjala është bërë më e madhe se vetë kriza?
Në 2014, ne bashkë me VV-në si koalicion VLAN, e merrnim fjalën, kërkonim zgjidhje, ballafaqonim ide. Sot? Heshtje! Sepse rregullorja “nuk lejon”.
Por nëse Kuvendi nuk flet, kush do ta zgjidhë krizën? Rrjetet sociale? Kafet? Apo ndoshta horoskopi?
Kuvendi është për debat. Për ide. Për zgjidhje. Jo për teatrin e heshtjes me regji ditore politike.