
Teksa Kuvendi i Kosovës sot shkon në tentativën e 38-të, Gjykata Kushtetuese dje doli me një reagim, ndaj të cilës reagoi edhe i sh-nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese dhe njëri prej hartuesve e Kushtetutës së Kosovës.
Sipas Kryeziut, Gjykata Kushtetuese nuk ka thënë asgjë të re për mënyrën e votimit në seancën konstituive, por ka theksuar se kjo çështje është ezauruar që në vitin 2014.
Ai shton se këtë herë Gjykata me të drejtë është marrë edhe me çështjen e afatit kushtetues 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, duke e cilësuar këtë si një hap të nevojshëm për të ndalur “cirkun politik dhe talljen me shtetin”.
Kryeziu vlerëson se Gjykata Kushtetuese e ka theksuar qartë se seanca konstituive ka karakter solemn dhe nuk i nënshtrohet procedurave parlamentare të zakonshme.
Lidhur me propozimet e VV-së për votim të fshehur, ai thekson se të dyja mënyrat e votimit – hapur apo fshehtë – janë të ligjshme, por kjo nuk është çështja thelbësore. “Problemi nuk qëndron te mënyra e votimit, por te mungesa e vullnetit për bashkëpunim dhe konsensus”, shkruan ai.
Kryeziu ka përmendur edhe nenin 7 të Kushtetutës, duke thënë se zgjedhja e Kryetarit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit është pjesë e një procesi të vetëm dhe nuk mund të trajtohen si hapa të ndarë.
“Kalimi nga një interpretim bllokues në një tjetër sjell paralizimin e tërë Kuvendit. Kjo është lojë fëmijërore dhe e rrezikshme me kredibilitetin e shtetit”, thotë Kryeziu.
Vendimi i Gjykatës për afat 30-ditor
Duke iu referuar vendimit të Gjykatës dhe nenit 74 të Kushtetutës, Kryeziu paralajmëron se moskonstituimi i Kuvendit brenda afatit 30-ditor përbën shkelje kushtetuese.
Sipas tij, Presidentja ka të drejtë të konstatojë dështimin e Kuvendit për t’u konstituar dhe të shpallë zgjedhje të reja, në përputhje me nenin 84 të Kushtetutës.
“Pas kalimit të afatit, nëse Kuvendi nuk konstituohet, Presidentja, duke vepruar në përputhje me Kushtetutën, ka të drejtë të shpallë zgjedhje të reja si rrugëdalje nga kjo situatë absurde”, shkruan Kryeziu.
Në përfundim, Kadri Kryeziu bën thirrje për përgjegjshmëri politike dhe atdhetarizëm, duke kujtuar se “shteti i Kosovës nuk është objekt talljeje dhe eksperimentesh”.