Allegri i jep sinjalin e parë: Ky Milan është gati për luftë

18:12 | 01 Gusht 2025

Massimiliano Allegri është shprehur i kënaqur me ecurinë e Milanit gjatë turneut parasezonal në Azi-Paqësor, duke vlerësuar punën e bërë në stërvitje dhe atmosferën pozitive në grup, por paralajmëron se ekipi nuk duhet të euforizohet.

Kuqezinjtë përmbyllën fazën përgatitore në Australi me një fitore të thellë 9-0 ndaj Perth Glory, duke dhuruar një paraqitje spektakolare. Golat u shënuan nga Terracciano, Okafor (2), Comotto, Chukwueze, Leao (2), Ricci dhe Musah, në një ndeshje që Allegri e cilësoi si shumë serioze dhe të dobishme për ritmin e skuadrës.

“Kemi bërë 25 ditë punë të mirë. Jemi të kënaqur me mënyrën se si kemi punuar, si në stërvitje, ashtu edhe në ndeshjet miqësore. Por duhet të jemi të kujdesshëm dhe ta marrim çdo gjë hap pas hapi”, tha trajneri për Milan TV, transmeton ORAinfo.

Ai theksoi se përgatitja nuk është vetëm fizike, por mbi të gjitha mendore, pasi sezoni është një maratonë 38-javore që kërkon vazhdimësi dhe qetësi.

“Duhet të jemi të balancuar. Kur fiton, nuk duhet të fluturosh, dhe kur humbet, nuk duhet të biesh në dëshpërim”, shtoi Allegri.

Trajneri i rikthyer në stolin kuqezi falënderoi edhe tifozët në Australi për mbështetjen e madhe, ndërsa konfirmoi se skuadra do të rikthehet në Itali për të vijuar përgatitjet. Milani do të zhvillojë edhe dy miqësore të tjera në Dublin dhe Londër, përpara nisjes së sezonit zyrtar me Kupën e Italisë. /ORAinfo/

Komento: