Tradhtia që i kushtoi shtrenjtë Milanit – tani shpresojnë të ndreqin gabimin

19:08 | 06 Gusht 2025

Pas tensioneve dhe dështimit për rinovim, kuqezinjtë duan ta mbajnë gardianin francez, të paktën edhe një vit – objektivi i radhës është marrëveshja deri në vitin 2029.

Situata mes Mike Maignan dhe Milanit është drejt një pike kthese. Sipas asaj që raporton Tuttosport, nëpërmjet MilanNews, menaxhmenti i ri i kuqezinjve, nën drejtimin e Massimiliano Allegrit dhe Igli Tares, është angazhuar seriozisht për të rregulluar marrëdhënien me portierin francez, pas një “ftohtësie të madhe” në fund të sezonit të kaluar.

Maignan kishte pranuar verbalisht një zgjatje të kontratës deri në vitin 2028 (me opsion për 2029), e shoqëruar me një rritje page nga 3 në 5 milionë euro në vit plus bonuse. Por, në mënyrë të papritur, drejtues të lartë të klubit u tërhoqën nga marrëveshja, duke krijuar ndjesinë e një premtimi të thyer për portierin – që ndjeu zhgënjim dhe filloi të shqyrtojë largimin, përcjell ORAinfo.

Tensionet u thelluan edhe më shumë pas dështimit të Milanit për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve, gjë që ndikoi në të ardhurat dhe politikat e brendshme financiare të klubit. Në këtë klimë pasigurie, Chelsea dërgoi një ofertë prej 15 milionë eurosh për Maignan, por Milani e refuzoi, duke mos e konsideruar të përshtatshme për një lojtar të këtij niveli.

Pavarësisht gjithçkaje, me mbërritjen e trajnerit Conceição, Maignan mori shiritin e kapitenit dhe vendosi të qëndrojë, të paktën edhe për sezonin e ardhshëm. Tani, Allegri dhe Tare po përpiqen të bindin portierin që të rinovojë zyrtarisht deri në vitin 2029, duke i ofruar jo vetëm kushte të favorshme financiare, por edhe një projekt të qartë sportiv.

Maignan, një lider në dhomën e zhveshjes dhe një nga pikat kyçe të Milanit, përfiton gjithashtu nga Dekreti i Rritjes – një faktor që e bën rinovimin edhe më të leverdishëm për klubin.

Vendimi pritet të merret gjatë vjeshtës, kur do të zhvillohen negociatat përfundimtare. Nëse nuk arrihet një marrëveshje, Milani mund të përballet me dilema serioze: rinovim, shitje apo rreziku i një largimi pa përfitim financiar në vitin 2026. /ORAinfo/

Komento: