
Kevin De Bruyne ka dhënë një intervistë të gjatë për Corriere dello Sport, ku ka folur për aventurën e tij të re te Napoli, rivalitetin për Scudetton dhe përballjen e shumëpritur me Luka Modricin, tashmë lojtar i Milanit.
Milani në mesin e rivalëve për titull
Mesfushori belg, i cili iu bashkua Napolit si lojtar i lirë pas përfundimit të kontratës me Manchester City, nuk e fshehu admirimin për klubet kryesore italiane dhe vuri në dukje se gara për titullin e sezonit 2025-26 do të jetë e ashpër.
“Gjithmonë janë Interi dhe Milani. Juventusi. Atalanta po punon mirë, dhe Roma e Lazio gjithashtu kanë skuadra të mira. Ka shumë ekipe vërtet, vërtet të forta,” – u shpreh De Bruyne, transmeton ORAinfo.
Duel i madh në horizont: De Bruyne vs Modric
Një nga ndeshjet më të shumëpritura të sezonit do të jetë padyshim Napoli vs Milan, një përballje jo vetëm mes dy skuadrave pretendente, por edhe mes dy ikonave të mesfushës botërore.
“E njoh Lukën mjaft mirë sepse është shoku më i mirë i Kovacicit. Kemi folur disa herë dhe ai është një djalë shumë i mirë. Kam shumë respekt për të. Jam i lumtur që do të luaj kundër tij. Ai ka pasur një karrierë të jashtëzakonshme. Shpresoj që ndeshjet tona të jenë spektakolare,” – tha mesfushori belg.
Modric dominon statistikat sezonale
Sipas disa krahasimeve të fundit statistikore, Modric ka dalë më mirë se De Bruyne në shumicën e metrikeve të sezonit të kaluar (2024-25), duke dëshmuar edhe njëherë formën e tij të jashtëzakonshme pavarësisht moshës.
Një sezon që premton spektakël
Me emra të mëdhenj që zbarkojnë në Serie A, kampionati italian po fiton sërish shkëlqimin e dikurshëm. Dhe me Modric te Milani e De Bruyne te Napoli, çdo përballje mes këtyre dy klubeve do të jetë një spektakël për tifozët. /ORAinfo/