
Presidenti rus Vladimir Putin i ka vlerësuar marrëdhëniet me Kinën në një nivel të lartë në bisedimet e tij të para zyrtare me homologun Xi Jinping.
Takimi në Sallën e Madhe të Popullit në Pekin ishte shfaqja më e fundit e solidaritetit midis dy liderëve, ndërsa Putini shpërfill presionin perëndimor për t’i dhënë fund luftës ndaj Ukrainës dhe Xi e paraqet vendin e tij si një udhëheqës të ri të qeverisjes botërore, shkruan rtsh.al.
Duke iu rikthyer lidhjeve sovjetike me Kinën gjatë Luftës së Dytë Botërore, Putin përshëndeti “vëllazërinë në armë, besimin, mbështetjen e ndërsjellë dhe vendosmërinë në mbrojtjen e interesave të përbashkëta” si themelin e shtrirjes strategjike të vendeve të tyre në atë që e konsideroi si “epokën e re”.
“Ne ishim gjithmonë bashkë atëherë dhe mbetemi bashkë edhe tani”, i tha Putin presidentit Xi në fillim të takimit të tyre dypalësh.
Vizita e presidentit rus në Kinë pritet gjithashtu ta sjellë atë krah për krah me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un. Të dy kryesojnë listën e të ftuarve të personaliteteve të huaja që do t’i bashkohen presidentit Xi të mërkurën (3 shtator) në një paradë ushtarake në kryeqytetin kinez.
Kjo është vizita më e gjatë e udhëheqësit rus në një shtet tjetër që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.
Takimi i presidentëve Xi dhe Putin pasoi një diskutim trepalësh me presidentin mongol Ukhnaagiin Khurelsukh. Gjatë takimit, Putin kërkoi forcimin e marrëdhënieve me Pekinin dhe Ulanbatarin.
“Rusia kërkon sinqerisht të sigurojë zhvillimin shumëpalësh të marrëdhënieve reciprokisht të dobishme dhe shumëplanëshe, si me Kinën, ashtu edhe me Mongolinë“, deklaroi ai. Sipas Putin, bashkëpunimi trepalësh duhet të marrë dimensione të reja.