
Ekipi ligjor i Presidencës është duke bërë një analizë ligjore lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës, ndërkohë që nga VV-ja kanë paralajmëruar thirrjen e mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të VV-së për të votuar mandatarin e qeverisë.
Për këtë presidentja Vjosa Osmani e ka njoftuar ditën e djeshme kryetarin e Kuvendit, Dimal Basha, në një takim që këta të dy e kanë zhvilluar.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim, në cilësinë e tij, të kryetarit të sapozgjedhur të Kuvendit të Kosovës, z. Dimal Basha. Në këtë takim, Kryetari Basha e ka prezantuar qëndrimin e tij lidhur me konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Në anën tjetër, presidentja Osmani e ka informuar kryetarin Basha se ekipi ligjor i Presidencës është duke bërë analizën lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Presidencës për takimin.
Presidentja thuhet se ka potencuar se do të veprojë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi, duke garantuar stabilitetin institucional dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve të Kosovës, raporton Reporteri.net
Kryetari Basha ka insistuar se Kuvendi është tashmë i konstituuar, ndonëse nënkryetari nga komuniteti serb nuk është zgjedhur.
Ditën e djeshme Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu foli për formimin e Qeverisë, teksa theksoi se paraprakisht duhet të mbahet mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të VV-së për të votuar mandatarin e qeverisë.
Ajo sqaroi se pas kësaj, Arbërie Nagavci, si kryesuese e KP-së, do ta dërgojë emrin e kryeministrit Albin Kurti te presidentja Vjosa Osmani, e cila më pas pritet të veprojë në këtë drejtim.
Sipas Haxhiut, këto hapa janë të domosdoshëm për funksionimin demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës.
“Ne kemi thënë edhe në seancën e fundit konstituive që ne do t’i shikojmë mundësitë që ta bëjmë ketë. Na duhet paraprakisht që ta kemi një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm ku e votojmë mandatarin dhe pastaj Arbërie Negavci si kryesuese e KP ta dërgojë emrin e kryeministrit Kurti te presidentja Osmani dhe mandej presim që presidentja Osmani të punojë në këtë drejtim, pikërisht në emër të funksionimit demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës”, tha Haxhiu në një konferencë për media.
Në momentin që presidentja e mandaton Albin Kurtin për ta krijuar qeverinë, ai ka dy javë për të siguruar votat.
Pas 57 seancave, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, të martën e kaluar u zgjodh kryetar Kuvendi. Kuvendi zgjodhi edhe tre nënkryetarë nga partitë shqiptare: Albulena Haxhiun, Vlora Çitakun dhe Kujtim Shalën.
Emilija Rexhepi u zgjodh nënkryetare nga pakicat joserbe, megjithatë procesi i konsituimit hasi në një pengesë të re pasi dështoi zgjedhja e nënkryetarit serb në tri seancat që pasuan.
Kryeparlamentari i Kuvendit, Dimal Basha, tha se Kuvendi duhet të vazhdojë punën duke caktuar mbledhjen e Kryesisë, e cila dështoi të mbahet ditën e djeshme.
Në takim kanë marrë pjesë vetëm përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje dhe komuniteteve joserbe.