
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur një masë të përkohshme, e cila ndalon deputetët të ndërmarrin veprime dhe ndalon zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së Kosovës.
Sipas vendimit, masa do të jetë në fuqi nga 5 shtatori deri më 30 shtator.
Kjo masë u vendos nga Gjykata në mënyrë ex officio dhe në bazë të kërkesës së deputetëve të Listës Serbe.
Kushtetuesja theksoi se e pranoi kërkesën për masë të përkohshme pasi ajo i shërben “evitimit të rreziqeve ose dëmeve të pariparueshme” dhe është në “interes publik”.
Gjykata, më 4 shtator 2025, ka vendosur njëzëri:
I. TË CAKTOJË ex officio dhe sipas kërkesës së parashtruesve masën e përkohshme përmes të cilës ndalohet çdo veprim i deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe çdo procedurë për formimin e Qeverisë;
II. TË URDHËROJË që masa e përkohshme hyn në fuqi më 5 shtator 2025, në kohëzgjatje deri më 30 shtator 2025;
III. T’UA KUMTOJË këtë Vendim palëve;
IV. TË PUBLIKOJË këtë Vendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 të Ligjit;
V. Ky Vendim hyn në fuqi më 5 shtator 2025.
Për të lexuar Vendimin për ex officio masën e përkohshme klikoni këtu: https://www.gjk-ks.org/notifications/details/3343?title=Njoftim+p%C3%ABr+Vendim+p%C3%ABr+mas%C3%AB+t%C3%AB+p%C3%ABrkohshme+n%C3%AB+rastin+KO265/25
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!