Takimi me finlandezen, Osmani rithekson përkushtimin e Kosovës për bashkëpunim me OSBE-në

11:26 | 16 Shtator 2025
Takimi me finlandezen, Osmani rithekson përkushtimin e Kosovës për bashkëpunim me OSBE-në

Presidentja Vjosa Osmani, është takuar me Ministren e Punëve të Jashtme të Finlandës, njëkohësisht Kryesuese të OSBE-së, Elina Valtonen.

Gjatë takimit, e para e shtetit të Kosovës e falënderoi Finlandën për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, veçanërisht në proceset e shtetndërtimit, demokratizimit dhe forcimit të institucioneve.

Në cilësinë e Kryesueses së OSBE-së,Valtonen u informua nga presidentja Osmani mbi zhvillimet e fundit në Kosovë, përkushtimin e institucioneve ndaj paqes dhe stabilitetit si dhe zbatimin e rendit dhe ligjit.

Në një njoftim për media, rreth takimit, zyra për media e presidentes thotë se Osmani ritheksoi përkushtimin e Kosovës për bashkëpunim të ngushtë me OSBE-në në procesin e reformave, transparencës institucionale dhe të drejtave të njeriut.

“Në këtë kontekst, Presidentja Osmani theksoi se pret që OSBE-ja do të vazhdojë t`i mbështesë prioritetet kyçe të Kosovës, përfshirë barazinë gjinore dhe fuqizimin e të drejtave të njeriut”, thuhet mes tjerash në njoftim.

Komento: