Shtatë alpinistë italianë shpallen të zhdukur në Himalaje, pas ortekëve vdekjeprurës në Nepal

08:56 | 06 Nëntor 2025
Shtatë alpinistë italianë shpallen të zhdukur në Himalaje, pas ortekëve vdekjeprurës në Nepal

Shtatë alpinistë italianë janë shpallur të zhdukur në malet Himalaje të Nepalit, pas stuhive të fuqishme të borës dhe ortekëve që kanë shkaktuar të paktën nëntë viktima gjatë ditëve të fundit.

Sipas autoriteteve nepaleze, tre nga viktimat ishin alpinistë italianë, ndërsa të tjerët përfshinin pesë të huaj dhe dy udhërrëfyes nepalezë, të cilët humbën jetën të hënën, kur një ortek masiv goditi kampin bazë pranë majës së malit Yalung Ri.

Ministria e Jashtme e Italisë njoftoi të mërkurën se ende nuk ka asnjë informacion për shtatë shtetas italianë të tjerë që janë raportuar të zhdukur në zonën e Himalajeve.

“Në ditët e fundit, disa zona të Himalajeve nepaleze janë goditur nga një sërë ortekësh që kanë prekur shumë alpinistë, përfshirë shtetas italianë,” thuhet në deklaratën e ministrisë.

Autoritetet italiane shtuan se komunikimi me ekipet e shpëtimit dhe zyrtarët lokalë është jashtëzakonisht i vështirë, për shkak të motit ekstrem dhe terrenit të ashpër malor.

Nepali është goditur së fundmi nga reshje të pazakonta shiu dhe bore, të shkaktuara nga cikloni Montha, që ka lënë shumë turistë dhe alpinistë të bllokuar në shtigjet e famshme të Himalajeve, shkruan Al Jazeera.

Komento: