Befason Abelard Tahiri, refuzon pozicionin e privilegjuar në listën zgjedhore të PDK-së

16:40 | 06 Dhjetor 2025

Deputeti dhe ish-ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka njoftuar sot se i ka kërkuar Kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, të mos e përfshijë në dhjetëshen e parë të listës zgjedhore për Kuvendin e Kosovës.

Në një adresim publik, Tahiri ka treguar se për arsyet mbrapa këtij vendimi.

“Gjatë gjithë këtyre viteve kam mbajtur pozita të rëndësishme në institucionet e Republikës së Kosovës, 10 vite si këshilltar i Presidentit Hashim Thaçi në Qeveri dhe në Presidencë, gati 3 vite Ministër i Drejtësisë, si dhe 5 vite Kryetar i Grupit Parlamentar të PDK-së, dy herë i emëruar në këtë detyrë”, ka thënë Tahiri, duke thënë se vendimi erdhi nga reflektimi personal dhe nevoja për t’u dhënë hapësirë gjeneratave të reja në politikë.

“Besoj se secili prej nesh duhet të reflektojë. Numrat nuk trashëgohen dhe nuk i kemi me tapi, përkundrazi, ne që kemi përvojë duhet t’i ndihmojmë kolegët tanë të rinj që të jenë pjesë e parlamentit të ardhshëm të Kosovës”.

Ai njoftoi se do të jetë pjesë e listës, por jo në 10-të pozitat e para, siç ishte në zgjedhjet e shkurtit.

“Prandaj, unë do të jem pjesë e listës, por jo pjesë e dhjetëshes së parë, siç isha në zgjedhjet e fundit”, tha ai.

Tahiri e përmbylli me një mesazh përkrahjeje për kandidatin për kryeministër të PDK-së.

“Na priftë e mbara me Kryeministrin e ardhshëm të Kosovës, Bedri Hamzën!”

Komento: