Fatmir Limaj nuk do të jetë pjesë e listës së PDK për zgjedhjet e 28 dhjetorit

16:52 | 06 Dhjetor 2025

Fatmir Limaj nuk do të jetë pjesë e garës zgjedhore të 28 dhjetorit në kuadër të listës së Partisë Demokratike të Kosovës, ndonëse kjo e fundit ende nuk e ka publikuar zyrtarisht përbërjen e kandidatëve.

Mospërfshirja e tij është konfirmuar përmes burimeve të mirëinformuara të Gazetës Nacionale.

Ditëve të fundit ka pasur diskutime të në opinion lidhur me mundësinë e përfshirjes së Fatmir Limajt në listën e partisë që doli e dyta në zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit.

Limaj ishte takuar së fundmi edhe me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun, megjithatë nga ky takim nuk u bë e ditur ndonjë marrëveshje e mundshme parazgjedhore.

Gjatë ditës së sotme (6 dhjetor) subjektet politike e kanë afatin e fundit që të tërhiqen nga pjesëmarrja në zgjedhjet e 28 dhjetorit, pavarësisht faktit se janë certifikuar nga KQZ.

Ky afat është miratuar nga KQZ në fillim të organizimit të procesit zgjedhor.

Tërheqja e subjekteve politike të certifikuara nga procesi zgjedhor parashihet në nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

“Subjekti politik i certifikuar mund të tërhiqet nga procesi zgjedhor duke i dorëzuar KQZ-së një njoftim me shkrim me të cilin shpreh qartazi qëllimin për tërheqje jo më vonë se dy (2) ditë të punës para datës së caktuar për hedhje të shortit për zgjedhje, të përcaktuar sipas nenit 25 paragrafi 1 të këtij ligji”, thuhet në këtë nen.

Ndërkohë, KQZ ka vendosur datën 8 dhjetor për tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim.

Komento: