
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se sot ka zhvilluar një takim me Jeremy Long, zëvendësdrejtor në Zyrën për Çështjet e Evropës Qendrore në Departamentin e Shtetit të SHBA-së.
Rama tha se në takim ka prezantuar vizionin e Kryeqytetit për mandatin e ardhshëm, duke theksuar se sfidat me të cilat po përballet Prishtina lidhen kryesisht me raportet me Qeverinë.
“Sot pata një takim të shkëlqyer me Jeremy Long, Zëvendësdrejtor në Zyrën për Çështjet e Evropës Qendrore në State Department. Ndava vizionin e Prishtinës për katër vitet e ardhshme dhe theksova vështirësitë serioze me të cilat po përballet Kryeqyteti me Qeverinë Qendrore, veçanërisht bllokimin e vazhdueshëm të buxhetit të qytetit”, ka shkruar Rama.
Ai tha se bashkëbiseduan edhe për mundësitë që ofron Kryeqyteti për investime amerikane, sidomos në prag të Lojërave Mesdhetare 2030.
“Diskutuam gjithashtu për potencialin e madh që kanë kompanitë amerikane për të investuar në Prishtinë, sidomos teksa përgatitemi për Lojërat Mesdhetare 2030. Energjetika alternative dhe projektet e mëdha zhvillimore janë fusha kyçe ku partneriteti mund të sjellë ndikim real”, u shpreh ai.
Sipas Ramës, Prishtina mbetet e hapur për investitorët nga SHBA-ja dhe do të ndërmarrë hapa konkretë për të prezantuar projektet strategjike.
“Prishtina është e hapur për investitorët amerikanë dhe së shpejti do të organizojmë një konferencë të veçantë për të prezantuar mundësitë dhe për të ndërtuar partneritete të reja”, ka deklaruar kryetari i Prishtinës.