
Inspektorati Qendror i Punës e ka mbyllur përkohësisht një market të “Viva Fresh Family” në Komunën e Vushtrrisë.
Siç raportoi ditën e djeshme gazeta online Reporteri.net, arsyeja e mbylljes kanë qenë kushtet e këqija për punëtorët, përfshirë i ftohti në ambientin e punës.
Në një njoftimi publik, Inspektorati ka konfirmuar se vendimi për ndalimin e punës në këtë objekt, ka ardhur pasi është konstatuar që kushtet e punës paraqesin rrezik serioz për shëndetin dhe sigurinë e punëtorëve.
“Në bazë të kompetencave ligjore, është marrë vendim për ndalimin e përkohshëm të veprimtarisë punuese, deri në përmbushjen e të gjitha masave të kërkuara.Në objekt është vendosur gjithashtu shenja paralajmëruese, me qëllim informimin dhe mbrojtjen e punëtorëve dhe palëve të treta”, thuhet në njoftimin e lëshuar sot.
Tutje, theksohet se inspektimet do të vazhdojnë sipas ankesave të qytetarëve në të gjithë territorin e vendit dhe se aty ku konstatohet mosrespektim i Ligjit për Siguri dhe Shëndet në Punë, do të ndërmerren masat ligjore përkatëse, përfshirë edhe shqiptimin e gjobave.
Inspekotrati Qendror i Punës ka apeluar të gjithë punëdhënësit të sigurojnë kushte të sigurta pune dhe të respektojnë legjislacionin në fuqi, për mirëqenien dhe sigurinë e punëtorëve.
