BE-ja e gatshme të punojë me qeverinë e re për heqjen e masave

17:56 | 08 Dhjetor 2025
BE-ja e gatshme të punojë me qeverinë e re për heqjen e masave

Bashkimi Evropian ka ritheksuar gatishmërinë për të bashkëpunuar me autoritetet e Kosovës për largimin e sanksioneve, megjithatë ky proces mbetet i lidhur ngushtë me përparimin në terren. Në një përgjigje për KOHËN, zëdhënësja për Çështjet e Jashtme dhe Politikës së Sigurisë, Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Yuliya Matsyk bëri të ditur se Brukseli pret që Kosova të rikthehet në rrugën e reformave evropiane dhe të shënojë progres në normalizimin e raporteve me Serbinë.

Sipas Matsyk, hapat e parë për lehtësimin e masave janë ndërmarrë tashmë (maj 2025), dhe BE-ja mirëpret tranzicionin e qetë të pushtetit lokal në veri. Megjithatë, mbështetja e plotë dhe heqja e mëtejshme e masave do të varen nga angazhimi i autoriteteve të zgjedhura për t’i përmbushur kushtet e përcaktuara nga blloku evropian.

“Komisioni ka ndërmarrë hapat e parë për të hequr gradualisht masat në fuqi në maj 2025. Siç është thënë më herët, ne synojmë t’i heqim më tej këto masa. Ne e mirëpresim dorëzimin e qetë të administrimit lokal në 4 komunat veriore dhe presim që kryetarët e rinj të përfaqësojnë interesat e të gjithë qytetarëve… BE-ja është e gatshme të punojë me autoritetet e Kosovës sapo ato të zgjidhen dhe të vazhdojë të mbështesë Kosovën në rrugën e saj drejt BE-së. Ne presim që Kosova të rikthehet në rrugën e reformave të domosdoshme të lidhura me BE-në, për të mirën e popullsisë së saj dhe duke bërë përparim në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, citohet të ketë deklaruar zëdhënësja.

Komento: