
Policia greke ende nuk ka dalë në deklaratë zyrtare për shtyp lidhur me një operacion të zhvilluar për arrestimin e 6 personave të akuzuar për tentativën e vrasjes së mafiozit grek Jani Lala, por detaje të reja janë zbuluar lidhur me arrestimet.
Në prangat e policisë greke ka rënë 45-vjecari nga Labova e Poshtme e Gjirokastrës, Dhimitër Meçi, i njohur shkurt si Dhimo. Bëhet fjalë për një person të konsideruar në Greqi si vrasës me pagesë, i arrestuar disa herë për ngjarje të ndryshme dhe shpesh i liruar në rrethana të dyshimta.
Dhimitër Meçi është arrestuar pas një operacioni të së ashtuquajturës “FBI” greke, bashkë me 5 persona të tjerë, 3 shqiptarë e dy grekë, mes tyre një femër.
Ata akuzohen për ngjarjen e 16 majit 2025, kur nga një motor u hap zjarr ndaj automjetit tip “Mercedes-Benz” të blinduar të 41-vjeçarit Giannis Lalas. Ndaj tij u qëllua rreth 40 herë, por makina e blinduar i shpëtoi. Ngjarja u shënua në Ano Liosia të Athinës, ku shënjestra u ndoq nga dy atentatorët.
Lala, një emër i njohur në qarqet mafioze greke, ishte arrestuar dhe më pas liruar për vrasjen e gazetarit grek Jorgo Karaivaz dhe boksierit Hari Kontogiorgi. Madje, së fundmi konsiderohej si krahu i djathtë i kriminelit famëkeq ukrainas, “Etnik”, i cili jetoj në Dubai dhe konsiderohet përgjegjës për shumë ngjarje kriminale, përfshirë vrasje, në Greqi.
Në fakt Giannis Lalas, rezulton i vrarë vetëm një muaj më parë në Arahova të Greqisë, ngjarje e zbuluar tashmë nga policia greke.
Gjatë operacionit të sotëm, policia greke sekuestroi 4 Kallashnikovë, 3 pistoleta, dhjetëra fishekë dhe sasi kokaine.
Dhimo Meci rezulton i proceduar dhe dënuar disa herë në Greqi për vepra të ndryshme penale si vjedhje, grabitje, tentativë vrasje, vrasje e organizatë kriminale.
Ai u arrestua për herë të parë në vitin 2004 për vrasjen e një emigranti sirian jashtë një qendre prostitutash në qendër të Athinës. I burgosur në burgun rural të Kasandrës, atij iu dha një leje 9 ditore gjatë së cilës u përfshi në grabitjen e një agjencie Pro-Po në Glifadha, duke vjedhur 65.000 euro. Sipas tij, kjo me sa duket ndodhi sepse ish-shefi i agjencisë, i cili u vra disa muaj më parë, i kishte borxh para. Ai u lirua me kusht disa muaj më vonë përpara se të arrestohej përsëri për shkelje të lirimit me kusht. Ai u arrestua për disa krime gjatë karrierës së tij, duke përfshirë vjedhje, grabitje, shkaktim lëndimesh trupore, përdorim dhe posedim armësh dhe për shkelje të rregullave të trafikut rrugor.