
Në kuadër të “Javës Kundër Korrupsionit 2025”, Lëvizja “FOL” ka mbajtur tryezë diskutimi me temë “Mbrojtja e Sinjalizuesve në Kosovë: Mes Ligjit dhe Realitetit”.
Në këtë tryezë diskutimi u theksua mostrajtimi serioz i rasteve që raportohen nga sinjalizuesit nga institucionet e drejtësisë e ku drejtoresha e Lëvizjes “FOL”, Mexhide Demolli, tha se bazuar në anketimet e bëra vetëm 40 për qind e të punësuarve në sektorin privat janë të gatshëm me raportu për çështje të ndryshme, shifër kjo që ,sipas saj, është shenjë e frikës.
Demolli thekson se pavarësisht se Kosova ka një ligj të avancuar për mbrojtjen e sinjalizuesve, ajo has në pengesa serioze, duke theksuar edhe se ka ende raste kur në faqen zyrtare të një institucioni vazhdon të mbahet e publikuar sinjalizuesi dhe emri i personit.
“Qëllimi i kësaj tryeze është që të sjellë për diskutim sfidat dhe mundësitë që kemi për zbatimin në praktikë të ligjit për mbrojtjen e sinjalizuesve, sidomos kur preken interesat ekonomike të shtetit. Edhe pse Kosova ka një ligj të avancuar për mbrojtjen e sinjalizuesve, zbatimi i tij has në pengesa serioze, si mungesa e informimit të shumë udhëheqësve në këtë fushë, keqkuptimet mes sinjalizuesit dhe një zyrtari përgjegjës. Kemi raste kur në faqen zyrtare të një institucioni vazhdojnë ta mbajnë të publikuar sinjalizuesin dhe emrin e personit, dhe kjo është për keqardhje sepse bëhet fjalë për institucione serioze, si dhe vështirësitë reale për të ruajtur të dhënat e raportimit. Në sektorin privat, shumica e bizneseve nuk kanë informata për ligjin dhe ende nuk kanë një zyrtar të përgjegjshëm, inspektimet janë të pakta dhe nuk ka procedura kundërvajtëse të raportuara. Raportimi vjetor pothuajse mungon dhe vetëm 40% e të punësuarve në sektorin privat të cilët i ka anketuar Lëvizja FOL janë të deklaruar se do të sinjalizonin, shenjë kjo e frikës. Sot, një vit më parë, kishim një tryezë të ngjashme me temë të ngjashme, ku mori pjesë sinjalizuesja Makfirete Dibrani. Një vit më parë, për të njëjtin rast, dy persona ishin në paraburgim, sot të dy personat janë të lirë dhe ende nuk kemi asnjë aktakuzë të ngritur. Kjo tregon hendekun mes ligjit dhe realitetit. Sinjalizimi për çështje të ndryshme ka kaluar në tentim-mbyllje të rastit, në ndërrim të prokurorit, hetime selektive si dhe mungesë të mbrojtjes së plotë të sinjalizueses.”
Avokati Ardian Bajraktari foli për rastin e sinjalizueses, Makfirete Dibrani, ndaj së rastit e së cilës nuk ka ndonjë aktakuzë të ngritur për personat.
“Para një viti ishte bërë publik rasti i zonjës Dibrani, e cila si një qytetare e guximshme ka zgjedhur ballafaqimin me një shkelje ligjore. Që prej asaj kohe kur është paraqitur publikisht, ajo është përballur me kërcënime dhe përgjigja që ka marrë nga Policia e Kosovës ka qenë ‘ruaju’. Kjo është tregues i mungesës serioze të trajtimit në raste të tilla. Vlen të theksohet që rasti është iniciuar në dhjetor të vitit 2021. Më në fund është vlerësuar që Prokuroria Speciale e Kosovës ta trajtojë këtë rast dhe sipas të dhënave hetimet kanë filluar në tetor të vitit 2023. Tashmë kemi tejkalim prej dy viteve, në kundërshtim me dispozitat ligjore. Vlerësojmë se prokuroria në këtë rast nuk po e trajton çështjen si duhet; a ka mungesë vullneti apo rrethana të tjera mbetet të shihet, ndonëse kemi komunikim të vazhdueshëm dhe shprehim gatishmërinë për të ofruar çfarëdo mbështetjeje që i duhet prokurorisë. Ajo ende nuk e ka statusin e sinjalizueses dhe ne do t’i drejtohemi gjykatës, sepse jemi të bindur që, pavarësisht rregullimit ligjor, ekzistojnë rrethana përjashtuese sipas nenit 20 të ligjit. Mbi të gjitha, është e rëndësishme se si një zyrtar e bën shpalosjen në momentin kur fillojnë të merren prokuroria dhe policia; ai zyrtar e ka kryer detyrën e tij si zyrtar i përgjegjshëm, ndërsa zyrtari nuk mban përgjegjësi për detyrat e prokurorit“, tha Bajraktari.
Udhëheqësi i Divizionit për Sinjalizim nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, Milot Shala, tha se ligji duhet të ndryshohet dhe se sinjalizuesi të ndihet i lirë kudo për të raportuar.
“Sa i përket çështjeve që diskutuat, pajtohemi plotësisht. Ne besojmë se ligji është i mirë, por ka ardhur koha të ndryshohet. Forma aktuale e raportimit, sipas ekspertëve ndërkombëtarë, nuk është në përputhje me direktivën evropiane, sepse sinjalizuesi duhet të ndihet i lirë të zgjedhë ku të raportojë. Do të ishte mirë që sinjalizuesi kudo të ndihet i sigurt për të raportuar. Unë mund të flas për institucionet publike, fatmirësisht kemi rritje të vetëdijesimit dhe numër më të madh të rasteve të paraqitura. Sivjet i kemi afër 90, ndërsa vitin e kaluar rreth 50. Ne vazhdimisht po ofrojmë trajnime, sivjet kemi pasur mbi 10 trajnime për këtë çështje. Te sinjalizimi i brendshëm kemi rritje të numrit të rasteve: vitin e kaluar ishin 124 raporte të paraqitura brenda institucioneve, ndërsa këtë vit në raportin gjashtëmujor kemi rreth 60 raportime. Në sektorin privat situata nuk është e mirë, por zyrtarët kanë filluar të shfrytëzojnë mekanizmat ekzistues“, tha ai.