Me kërkesë të mbrojtësit të Nagip Krasniqit shtyhet seanca ndaj tij dhe Isuf Zejnës

10:56 | 12 Dhjetor 2025
Me kërkesë të mbrojtësit të Nagip Krasniqit shtyhet seanca ndaj tij dhe Isuf Zejnës

Të premten, në Gjykatën Themelore të Prishtinës, me kërkesë të mbrojtësit të të akuzuarit Nagip Krasniqi, avokatit Ibrahim Vyrtut Ibrahimaga, është shtyrë seanca e fjalës hyrëse.

Krasniqi dhe Isuf Zejna po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi i rastit, Rrahaman Beqiri, bëri të ditur se avokati Ibrahimaga e ka njoftuar Gjykatën përmes e-mailit se, për arsye familjare, nuk mund të paraqitet në seancën e sotme dhe ka kërkuar shtyrjen e saj.

Në mungesë të kushteve për zhvillimin e seancës, ajo u shty.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 30 dhjetor 2024 ngriti aktakuzën e re ndaj ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi si dhe Ymer Dragushës dhe Isuf Zejnës.

Në aktakuzën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi“, thuhet se Krasniqi në cilësinë e kryeshefit të KEK-ut, Dragusha në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit të zyrës së prokurimit dhe Zejna, si përfaqësues i kompanisë “Rexhepi Zeqiri Zejna L.L.C”, akuzohen se me veprimet e tyre i shkaktuan dëm buxhetit të shtetit rreth 37 milionë euro.

Ish-kryeshefi i KEK-ut, Nagip Krasniqi, edhe në një rast tjetër akuzohet për korrupsion, e për të cilën aktakuzë në seancën fillestare të 8 tetorit 2024 është deklaruar i pafajshëm.

Komento: