
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është nderuar mbrëmë në Anagni të Italisë, i njohur si qyteti i Papëve, me Çmimin Bonifacio VIII, të ndarë nga Akademia prestigjioze Bonifaciana.
Ky çmim i është dhënë Presidentes Osmani si vlerësim për angazhimin e saj institucional në promovimin e paqes, si dhe për kontributin e vazhdueshëm në forcimin e bashkëpunimit ndërkulturor dhe ndërfetar.
Në fjalën e saj, Osmani theksoi se ky vlerësim vjen në frymën e vlerave mbi të cilat është ndërtuar Akademia Bonifaciana, e cila vendos në qendër drejtësinë, dinjitetin njerëzor dhe paqen. Ajo nënvizoi se marrja e këtij çmimi përbën një përgjegjësi dhe motiv shtesë për të vazhduar përkushtimin ndaj këtyre vlerave universale.
Presidentja Osmani rikujtoi gjithashtu se Çmimi Bonifacio VIII u është ndarë më herët personaliteteve të shquara botërore, përfshirë edhe Papa Gjon Palin II, duke e cilësuar këtë fakt si një nder të veçantë.