
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se Kosova është më e sigurt dhe më e fortë ekonomikisht se pesë vjet më parë. Sipas tij, Kosova ka borxhin më të ultë publik në Evropë dhe se indikatorët ndërkombëtarë tregojnë më pak krim të organizuar e më pak korrupsion.
Këto deklarata Kurti i bëri para përfaqësuesve të më shumë se 200 bizneseve në konferencë vjetore të organizuar nga Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), ku është prezantuar performanca industriale për këtë vit dhe planet për mbështetje për vitin e ardhshëm.
Kurti tha se Kosova ka konfirmuar se është një prej historive më të mira të suksesit në rajon. Në këtë konferencë vjetore, Kurti tha se ekonomia e vendit është rritur mesatarisht rreth gjashtë për qind për pesë vjet. Ai shtoi se të hyrat buxhetore kanë tejkaluar shifrën 3 miliardë euro. Sipas tij, çdo vit në Kosovë po vijnë më shumë investitorë të huaj.
Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari tha se mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar mbetet sfidë. Ajo theksoi se industria prodhuese përbën shtyllën kyçe të zhvillimit ekonomik. E ushtruesi i detyrës së drejtorit të përgjithshëm të KIESA-s, Zef Dedaj tha se ndër vite ka pasur rritje të buxhetit./Kosovapress