
Në orët e natës, në rrethojën e Ambasadës së Bosnjë dhe Hercegovinës (BiH) në Podgoricë është shkruar një grafit që glorifikon gjenocidin ndaj popullsisë boshnjake në Srebrenicë në vitin 1995, si dhe kriminelin e dënuar për krime lufte, Ratko Mladiq.
Me sprej blu, në murin e ambasadës janë shkruar me germa të mëdha fjalët: “Gjeneral, faleminderit për Srebrenicën!”, ndërsa mbi tabelën me emrin e Ambasadës janë vizatuar edhe simbole nacionalist serb.
Stafi i Ambasadës së Bosnjë dhe Hercegovinës e ka vërejtur grafitin në orët e mëngjesit, me rastin e ardhjes në punë, dhe menjëherë ka njoftuar policinë, kanë bërë të ditur burime jozyrtare përRadion Evropa e Lirë.
Ekspertiza policore në vendngjarje ka zgjatur deri rreth orës 10:00, ndërsa pritet që prokurori kompetent të deklarohet lidhur me kualifikimin juridik të veprës.
Sipas informacioneve jozyrtare, rasti mund të cilësohet si nxitje e urrejtjes fetare dhe kombëtare.
Nga Ambasada e BeH është bërë e ditur se do të reagojnë me një njoftim zyrtar në vijim.
Radio Evropa e Lirë i ka dërguar kërkesë për koment lidhur me këtë incident Ministrisë së Punëve të Jashtme të Malit të Zi.
Ratko Mladiq, emri i të cilit përmendet në grafit, është dënuar nga Gjykata e Hagës për gjenocid në Bosnjë dhe Hercegovinë. Ish-komandanti i Ushtrisë së Republikës Srpska është dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve dhe zakoneve të luftës gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë në vitet 1992–1995.