Ekspozita “Olbania” në muzeun “Marubi”, historia mes Shqipërisë dhe Italisë

17:26 | 17 Dhjetor 2025
Ekspozita “Olbania” në muzeun “Marubi”, historia mes Shqipërisë dhe Italisë

Ekspozita “Olbania” shënoi mbylljen e vitit 2025 për Muzeun Kombëtar të fotografisë Marubi. Përmes fotove tregohet historia e ndërthurur mes Shqipërisë dhe Italisë, nga emigrimet, ndikimet mediatike dhe qarkullimi i vazhdueshëm kulturor.

“Përtej vlerës shumë të bukur dhe cilësisë shumë të lartë të punës, mendoj se është interesante edhe një herë të gjejmë këtë marrëdhënie të ngushtë, këtë vështrim të kryqëzuar dhe këtë dëshirë për të komunikuar mes Italisë dhe Shqipërisë në planin artistik”, tha drejtori i Institutit italian, Alessandro Ruggera.
Ekspozita vendos projektin në dialog me traditën e hershme të imazhit në Shqipëri, duke kujtuar figurën e Pietro Marubbit, emigrantin italian që solli fotografinë në vend në vitin 1865.

“‘Olbania’ në të vërtetë është një Shqipëri tjetër: është një Shqipëri që populli i internetit e ka shpikur në një periudhë shumë interesante, një periudhë tranzicioni teknologjik mes viteve 2009 dhe 2010”, tha kuratorja Sara Dolfi Agostini. I konceptuar në vitin 2009 gjatë Bienales së tretë të Tiranës, projekti merr emrin nga një keqshkrim i përhapur në forumet e fillim viteve 2000, i cili u shndërrua në një territor fiktiv online, të ngarkuar me stereotipa dhe mitologji ballkanike./TCH

Komento: