
Seanca e sotme plenare e Kuvendit të Shqipërisë, ku në rend dite ishte betimi i Endit Shabanit si Avokat i Popullit, situata u përshkallëzua në një atmosferë kaotike me tensione të forta ndërmjet deputetëve të Partisë Demokratike (PD) dhe forcave të Gardës së Republikës, duke çuar në mbylljen e seancës pa diskutime.
Megjithatë Endrit Shabani, u betua mes flakadanëve duke u larguar nga salla pasi i dhuroi edhe një puthje deputetëve opozitarë.
Situata nisi që në orët e para të ditës kur deputetët e PD-së u ulën në vendet e ministrave për të penguar nisjen e seancës, duke shkaktuar pastaj edhe reagime verbale dhe konflikte me gardistët.
Gjatë tensioneve, pati përplasje fizike mes deputetëve opozitarë dhe gardistëve, si dhe hidhej ujë dhe objekte drejt kryetarit të Parlamentit Niko Peleshi dhe forcave të rendit, ndërsa tymi i flakadanëve mbushi sallën.
Kryetari i Parlamentit, Niko Peleshi, urdhëroi përjashtimin nga seanca të deputetëve Klevis Balliu dhe Flamur Noka si masë disiplinore për përfshirjen e tyre në konflikt, por situata mbeti e paqëndrueshme.
Në këto kushte, socialistët vijuan me votimin e projektligjeve që ishin në rend të ditës, teksa demokratët bënin thirrje kundër qeverisë.
Për më shumë se një orë, përpjekjet për të vijuar punimet dështuan, dhe kryeparlamentari shpalli mbylljen e seancës plenare për shkak të kaosit politik dhe mungesës së qetësisë në sallë.
Pas mbylljes së seancës së fundit të sensionit parlamentar, mes zhurmës e debateve, kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla përgëzoi Kosovës për heqjen e sanksioneve të BE gjatë samitit BE-Ballkani Perëndimor. Balla tha se sa herë Kosova feston Berisha bën një dëm në Shqipëri.
“Dua të përgëzoj samitin e BE-Ballkanit Perëndimor, për heqjen e sanksioneve. Sa herë që Kosova ka festë, Saliu e bën një dëm në Shqipëri. Unë gëzohem sa herë që SPAK realizon operacione. Klithmat e Bardhit sipas procedurës nesër nis procedimi. Ky është një rast ku Kuvendi do të duhet të kryejë procedurën sipas kushtetutës. Do e kemi komunikimin dhe për këtë çështje pasi të nisim procedurën”, tha Balla.

Ndërkaq, kreu i PD-së, Sali Berisha, pas kaosit të krijuar në Kuvend u shprehur se beteja e opozitës është për ligjin dhe se parlamenti nuk mund të funksionojë me ata që zbatojnë moton ‘vidh dhe ik’.
“Beteja jonë është për ligjin, Kushtetutën dhe shtetin ligjor. Motoja e PS-së është ‘vidh dhe ik’. Ergys Agasi është njeriu më i afërt i Edi Ramës, terrorist me dy pengmarrje, dhe jeton i qetë pa asnjë lloj bishe, madje me mbrojtje shtetërore. Parlamenti nuk mund të funksionojë me ata që zbatojnë moton ‘vidh dhe ik’. Vetëm ligji duhet të mbizotërojë”, tha Berisha.

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike është mbledhur në selinë e PD-së, ku ka nisur mbledhjen e firmave për të dërguar çështjen e zgjedhjes së Avokatit të Popullit dhe betimit të tij në Gjykatën Kushtetuese.