Përzhinë: Gjenden mbetje mortore që mund t’i përkasin tetë viktimave të luftës

13:56 | 19 Dhjetor 2025
Përzhinë: Gjenden mbetje mortore që mund t’i përkasin tetë viktimave të luftës

Në Rahovec, në zonën e quajtur “Përzhina”, gjatë gërmimeve janë gjetur dy pjesë eshtërore dhe mbetje mortore të të paktën një individi, për të cilat dyshohet se mund t’i përkasin viktimave të luftës që figurojnë në listën e personave të zhdukur.

Sot, Ditor Haliti nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, tha se mbetjet janë dërguar në këtë institucion për verifikim.

Sipas tij, mbejtet e gjetura kanë të bëjnë me ngjarjet e ndodhura më 1998 në komunën e Rahovecit.

Ai shtoi se numri i viktimave që mund të gjenden në këtë lokacion mund të shkojë deri në tetë, derisa tha se në këtë lokacion është punuar në të kaluarën nga Tribunali i Hagës nga ekipet e UNMIK-ut.

“Ky është një lokacion që është punuar në të kaluarën nga Tribunali i Hagës nga ekipet e UNMIK-ut, por duke iu falënderuar punës analitike të Kryqit të Kuq Ndërkombëtar dhe institucioneve tona është ardh në përfundim që një numër i viktimave, personave të zhdukur, ka mundësi që janë ende të varrosur këtu sepse nuk janë zhvarrosur gjatë punimeve në të kaluarën. Ky numër është deri në tetë, nuk mund ta saktësojmë, mund të jetë edhe më i vogël  por maksimum mund të jetë tetë”, ka thënë ai.

Komento: