Qindra mijëra pa rrymë në Kiev nga sulmet ruse, para bisedimeve Trump-Zelensky

14:26 | 27 Dhjetor 2025
Qindra mijëra pa rrymë në Kiev nga sulmet ruse, para bisedimeve Trump-Zelensky

Gati një e treta e kryeqytetit ukrainas mbeti pa ngrohje mes temperaturave të ulëta pasi dronët dhe raketat ruse nxorën jashtë funksionit impiantet komunale të ngrohjes. Të paktën një person u vra dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në breshërinë e sulmeve gjatë natës.

Zyrtarët ukrainas urdhëruan ndërprerje emergjente të energjisë elektrike për pjesë të mëdha të Kievit, si reagim ndaj sulmeve të 27 dhjetorit.

“Kjo është hera e parë që kaq shumë dronë kanë goditur qendrën e qytetit” u tha ga,zetarëve ministri i Brendshëm, Ihor Klymenko.

Sulmi rus që zgjati disa orë, i cili synoi ndërtesa banimi dhe infrastrukturë civile në Kiev dhe gjetkë, ndodhi në kohën kur presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, po përgatitej për bisedime kyçe me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, mbi një plan paqeje të mbështetur nga Uashingtoni.

Shtëpia e Bardhë, e cila nuk bëri asnjë njoftim zyrtar për takimin, publikoi një agjendë që tregonte se Zelensky dhe Trump do të takoheshin në Florida pasditen e 28 dhjetorit.

“Mendoj se ata duan ta bëjnë tani, dhe mendoj se Rusia dëshiron ta bëjë. Por sa herë që njëra palë dëshiron ta bëjë, tjetra nuk dëshiron” u, citua Trump të ketë thënë për New York Post më 26 dhjetor.

Në komentet për gazetarët që udhëtonin me të drejt Shteteve të Bashkuara, Zelensky sinjalizoi sërish se kishte hapësirë për kompromis.

Një nga çështjet kritike që tani është në qendër të negociatave, të cilat u përshpejtuan muajin e kaluar me publikimin e një plani të konsideruar si shumë i favorshëm për Moskën, është fati i rajonit lindor të Donbasit.

Pjesa më e madhe e atij territori është nën kontrollin rus, dhe Moska ka kërkuar që Kievi t’i dorëzojë Rusisë edhe pjesët që ajo nuk i mban. Kjo përfshin dy qytete të mëdha — Kramatorsk dhe Slovyansk — të cilat janë pika kyçe për mbrojtjen ukrainase në zonë.

Zelensky ka propozuar një kompromis që parashikon krijimin e një zone të demilitarizuar, në të cilën si Ukraina ashtu edhe Rusia do të tërhiqnin forcat e tyre. Forca të huaja më pas do të monitoronin zonën e demilitarizuar.

Udhëheqësi ukrainas ka hedhur idenë e mbajtjes së një referendumi për planin, megjithëse paralajmëroi gjithashtu se do të ishte e nevojshme një armëpushim 60-ditor për të siguruar që njerëzit të mund të votonin në mënyrë të sigurt.

Në komentet për gazetarët, Zelensky kundërshtoi një ide të propozuar nga Moska që qytetarëve ukrainas që jetojnë në Rusi t’u lejohet të votojnë në çdo referendum të tillë. Zyrtarët ukrainas thonë se kjo do të hapte rrugën për mashtrime.

Një tjetër çështje kritike është fati i centralit më të madh bërthamor të Ukrainës. Objekti në rajonin e Zaporizhias, i cili ishte burimi më i madh i vetëm i energjisë elektrike për Ukrainën, ka qenë nën kontrollin rus që pak pas fillimit të pushtimit të gjithanshëm në shkurt të vitit 2022.

Zelensky ka propozuar vendosjen e centralit nën kontroll të përbashkët midis Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara, me Uashingtonin që do të përfitonte nga shitja e energjisë elektrike të prodhuar nga centrali — duke përfshirë potencialisht edhe shitjen për Moskën.

Kremlini, i cili beson se ka avantazhin si në fushëbetejë ashtu edhe në negociatat e paqes, ka treguar pak gatishmëri për të bërë kompromis mbi kërkesat e tij të ashpra — shumica e të cilave i paraprijnë pushtimit.

Sulmi gjatë natës mbi Kievin, i cili përfshinte qindra dronë dhe dhjetëra raketa, vrau një person dhe plagosi të paktën 28 të tjerë, tha kryebashkiaku Vitali Klitschko; zona të gjera të distrikteve të qytetit në brigjet lindore të lumit Dnieper mbetën pa energji elektrike dhe ujë, tha ai në një postim në Telegram.

Kompania më e madhe private e energjisë elektrike në Ukrainë tha se gati një e treta e Kievit kishte mbetur pa energji elektrike.

“Sot, Rusia demonstroi reagimin e saj ndaj negociatave të paqes…. Ata nisën një sulm masiv ndaj Ukrainës,” tha Zelensky. “Është e njëjta Rusi që e demonstron këtë ndërkohë që [ne] jemi në rrugë drejt negociatave të paqes”.

Një ditë më parë, Rusia lëshoi bomba të rënda mbi qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Harkivin, duke vrarë të paktën dy persona dhe plagosur disa të tjerë.

Qyteti port më i madh i Ukrainës, Odesa, është goditur rëndë për disa ditë radhazi.

Komento: