Ramadan Parduzi jep dorëheqjen nga Kuvendi i Vushtrrisë

11:26 | 12 Janar 2026
Ramadan Parduzi jep dorëheqjen nga Kuvendi i Vushtrrisë

Asamblisti Ramadan Parduzi ka njoftuar sot dorëheqjen nga pozita e anëtarit të Kuvendit të Vushtrrisë, duke e cilësuar vendimin si pasojë të një qasjeje të padrejtë dhe jo transparente nga institucionet komunale dhe ato qendrore.

Sipas deklarimit të tij publik, Parduzi thotë se nuk është njoftuar paraprakisht se duhej të zgjidhte mes ushtrimit të mandatit të asamblistit dhe vazhdimit të punës së tij si mësimdhënës, ndërsa mosruajtja e vendit të punës në SHMU1 – pa sqarim dhe pa bazë të qartë ligjore – e ka vënë përballë një situate të kryer.

Postimi i plotë:

Sot kam dhënë dorëheqjen nga pozita e anëtarit të Kuvendit të Vushtrrisë, si pasojë e një qasjeje të padrejtë dhe jo transparente nga institucionet komunale dhe ato qendrore. Në asnjë moment nuk jam njoftuar paraprakisht se duhej të zgjidhja mes ushtrimit të mandatit si anëtar i Kuvendit komunal dhe vazhdimit të punës sime si mësimdhënës.

Mosruajtja e vendit tim të punës në Shkollën e Mesme të Ulët 1 (SHMU1), pa sqarim dhe pa bazë të qartë ligjore, më vuri përballë një fakti të kryer dhe më detyroi të marrë këtë vendim të vështirë. Kjo situatë dëshmon mungesë koordinimi, përgjegjësie dhe respekti institucional ndaj individëve që shërbejnë me ndershmëri si në arsim, ashtu edhe në përfaqësim publik.

Mbetem pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, dega në Vushtrri dhe do të vazhdoj angazhimin tim politik dhe qytetar, duke ngritur zërin për drejtësi, transparencë dhe respektim të ligjit.

Me respekt nga asambleisti:

Ramadan Parduzi./Indeksonline/

Komento: