IPK heton pretendimet për keqtrajtim në Leposaviq, ankuesi dyshohet për kallëzim të rremë

16:26 | 16 Janar 2026
IPK heton pretendimet për keqtrajtim në Leposaviq, ankuesi dyshohet për kallëzim të rremë

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka përfunduar hetimet lidhur me pretendimet për keqtrajtim nga zyrtarë të Policisë së Kosovës në Leposaviq, duke konstatuar se pretendimet e ankuesit nuk janë të bazuara. Si rrjedhojë, ndaj ankuesit është iniciuar rast dhe hetim penal nën dyshimin për veprën penale “Lajmërim i rremë apo kallëzim i rremë”.

Para mesnatës së datës 13 janar të këtij viti hetuesit e IPK-së janë njoftuar  nga Policia e Kosovës lidhur me një ankues i cili pretendonte se ishte keqtrajtuar nga zyrtarë të Policisë së Kosovës.

Incidenti raportohet të ketë ndodhur tek Ura e Bistricës në Leposaviq pak pas orës 22:00 të datës 13 janar 2026.

Sipas ankuesit, zyrtarë të Policisë së Kosovës e kishin ndaluar të njëjtin në një pikë kontrolli në këtë lokacion deri sa i njëjti ishte duke drejtuar një automjet të markës Audi A4 (me targa të Republikës së Serbisë) dhe se i njëjti kishte brenda veturës së tij edhe dy pasagjerë.

Pas pranimit të informacionit hetuesit e IPK-së bazuar në autorizimet ligjore kanë filluar menjëherë të ndërmarrin veprime hetimore në konsultim të vazhdueshëm dhe bashkëpunim me Prokurorinë e Shtetit – respektivisht Prokurorinë Themelore në Mitrovicë.

Në kuadër të veprimeve hetimore është intervistuar ankuesi në cilësinë dëshmitarit në prezencën e avokatit të tij mbrojtës ku i njëjti ka deklaruar se gjatë kontrollit nga zyrtarë të Policisë së Kosovës ishte keqtrajtuar dhe goditur nga zyrtarët policorë. I njëjti ka potencuar para hetuesve të IPK-së se si pasojë e këtij keqtrajtimi  kishte pësuar lëndime prapa në qafë, në bërrylin e majtë, në dorën e djathtë dhe në këmbë nga zyrtari policor i cili e kishte bërë kontrollin sipërfaqësor në trup dhe për këtë ka kërkuar trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal në Mitrovicë – Veri. Sipas tij, njëri nga zyrtarët policor e ka goditur edhe shokun e tij me kondak të armës së gjatë në këmbë.

Hetuesit e IPK-së në kuadër të veprimeve hetimore dhe të procesit të verifikimit të pretendimeve të ankuesit kanë siguruar prova duke përfshirë edhe video incizim nga kamerat e sigurisë që kanë mbuluar me pamje vendin ku është kryer ndalesa në pikën e kontrollit nga zyrtarët policorë.

Pas analizimit të provave dhe video-incizimeve është vërtetuar se të njëjtat nuk pasqyronin pretendimet e palës dhe se zyrtarët policorë me asnjë veprim nuk dyshohej se kishin tejkaluar autorizimet e tyre apo përdorur forcën.

Nga procesi i analizimit të video incizimeve hetuesit e IPK-së kanë vërejtur se  pretendimet e ankuesit janë të sajuara dhe të njëjtat i janë paraqitur prokurorit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë i cili ka kërkuar që ndaj ankuesit tani i dyshuar të  iniciohet rast  dhe hetim penal  me dyshimin për veprën penale “Lajmërim i rremë apo kallëzim i rremë.

Komento: