
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka depozituar sot një kallëzim penal pranë Prokurorisë së Tiranës për veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve”.
Kallëzimi lidhet me një dëftesë njoftimi gjyqësore, e administruar në dosjen e Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në të cilën figuron një nënshkrim në emër të Veliajt, sikur ai të kishte marrë dijeni personalisht për një vendim gjyqësor.
Sipas kallëzimit penal, ky nënshkrim nuk është firma e tij, ndërsa verifikimet zyrtare tregojnë se vendimi i Apelit nuk ka mbërritur asnjëherë në paraburgimin e Durrësit, ku ndodhet Veliaj. Ky fakt është konfirmuar zyrtarisht me shkresë nga vetë I.E.V.P. Durrës.
“Mungesa absolute e njoftimit real dhe ekzistenca e një dëftese me nënshkrim jo autentik përbëjnë provë të drejtpërdrejtë të falsifikimit të aktit të komunikimit, me qëllim aktivizimin fiktiv të afateve procedurale për ushtrimin e rekursit në Gjykatën e Lartë.”, thuhet në kallëzim.
Sipas Veliajt, ky veprim cenon rëndë të drejtën kushtetuese për ankim, sigurinë juridike dhe parimin e procesit të rregullt ligjor, duke synuar realisht humbjen e së drejtës së rekursit përmes përdorimit të një akti zyrtar të rremë.
Në kallëzim kërkohet regjistrimi i menjëhershëm i procedimit penal, ekspertim grafik i nënshkrimit, hetimi i zinxhirit të plotë të personave që kanë hartuar, administruar apo përdorur këtë dokument, si dhe hetimi i çdo vepre tjetër penale që mund të rezultojë gjatë hetimit, përfshirë shpërdorimin e detyrës.