SBASHK kundërshton ligjëratën e Gjykatës Speciale në shkollë: Institucionet arsimore nuk janë hapësirë për narrativa politike

10:26 | 23 Janar 2026
sbashk-kundershton-ligjeraten-e-gjykates-speciale-ne-shkolle:-institucionet-arsimore-nuk-jane-hapesire-per-narrativa-politike

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka shprehur shqetësim të thellë dhe kundërshtim të fuqishëm ndaj mbajtjes së një ligjërate në Gjimnazin “Xhevdet Doda” në Prishtinë, e organizuar nga përfaqësues të Gjykatës Speciale në bashkëpunim me organizatën Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR).

Në reagimin e saj, SBASHK vlerëson se është e papranueshme që institucionet arsimore të shfrytëzohen për promovimin e, siç thuhet, një narrative të njëanshme, me qëllim që nxënësit të binden se Gjykata Speciale përfaqëson drejtësi.

Sipas SBASHK-ut, padrejtësia më e madhe është fakti që, për më shumë se pesë vite, ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po mbahen në paraburgim, ndonëse, sipas sindikatës, ata ishin luftëtarë të lirisë dhe bashkëpunëtorë të NATO-s në përpjekjet për liri, dinjitet dhe të drejtë për arsimim.

SBASHK rikujton se gjatë represionit serb në Kosovë, Serbia kishte mbyllur të gjitha shkollat shqipe, përfshirë edhe Gjimnazin “Xhevdet Doda”, ndërsa mësimdhënësit dhe punëtorët e arsimit, të organizuar edhe përmes kësaj sindikate, kishin mbajtur gjallë arsimin shqip me sakrifica të mëdha.

“Është paradoksale dhe moralisht e papranueshme që sot, në po ato ambiente shkollore, të promovohet një gjykatë që, sipas nesh, po e gjykon në mënyrë të njëanshme luftën çlirimtare të popullit të Kosovës, duke barazuar viktimën me agresorin”, thuhet në reagim.

SBASHK ka reaguar edhe ndaj përfshirjes së organizatës YIHR, duke vlerësuar se përmes këtij aktiviteti është futur një agjendë politike dhe ideologjike në institucionet arsimore, pa respektuar ndjeshmëritë historike, kombëtare dhe arsimore.

Në këtë drejtim, SBASHK u bën thirrje Ministrisë së Arsimit, Drejtorisë Komunale të Arsimit në Prishtinë dhe menaxhmentit të Gjimnazit “Xhevdet Doda” që të ndërmarrin masa konkrete dhe të mos lejojnë, siç thuhet, shndërrimin e shkollave në hapësira për promovimin e mekanizmave që cenojnë të vërtetën historike dhe dinjitetin e luftës çlirimtare.

Njëkohësisht, sindikata ka apeluar te të gjithë punëtorët e arsimit në Kosovë që të tregojnë vigjilencë dhe përgjegjësi profesionale e kombëtare, duke mos lejuar organizimin e aktiviteteve të ngjashme në shkolla.

Komento: