
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, po zhvillohet seanca vendimtare në procesin gjyqësor ndaj Muhamet Alidemajt, i akuzuar për krime lufte në Izbicë gjatë luftës në Kosovë.
Në këtë seancë, palët pritet të paraqesin fjalët e tyre përfundimtare, para se trupi gjykues të marrë vendim lidhur me të akuzuarin.
Alidemaj ishte shpallur fajtor në vitin 2024 dhe ishte dënuar me 15 vjet burgim nga Gjykata Themelore. Por, Gjykata e Apelit e kishte anuluar këtë aktgjykim dhe e kishte kthyer lëndën në rigjykim, duke vlerësuar se vendimi i shkallës së parë nuk kishte arsyetim të mjaftueshëm për faktet kyçe të çështjes.
Sipas aktakuzës, më 28 maj 1999, Alidemaj dyshohet se, në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave serbe, ka marrë pjesë në masakrën e Izbicës në komunën e Skenderajt, një nga ngjarjet më të rënda të luftës.