
Anëtari i Kryesisë së LDK-së dhe ish-kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu ka bërë një thirrje publike për reformim të menjëhershëm të Degës së LDK-së në Podujevë, duke e cilësuar gjendjen aktuale si krizë të thellë politike dhe organizative.
Në një reagim publik, Veliu tha se pesë humbjet e njëpasnjëshme zgjedhore janë pasojë direkte e një drejtimi të gabuar dhe mungesës së përgjegjësisë politike.
“Dega e LDK-së në Podujevë ndodhet në krizë të thellë politike dhe organizative. Pesë humbje rresht janë pasojë direkte e një kryetari të komanduar që ka humbur besimin e anëtarësisë, pa marrë asnjëherë përgjegjësi”, ka deklaruar Veliu.
Ai ka kujtuar se për më shumë se tri dekada, kjo degë ka qenë shembull i organizimit dhe fitoreve, duke theksuar se qytetarët e Podujevës i kanë besuar pesë herë drejtimin e komunës.
“Kjo tregon se partia di të fitojë kur respektohen parimet, demokracia e brendshme dhe baza e saj”, ka shtuar ai.
Sipas Veliut, pas largimit të tij nga drejtimi i degës, janë marrë vendime që i ka cilësuar si kundërstatutore dhe pa legjitimitet.
“Degës i janë imponuar vendime të mbyllura, përjashtuese dhe pa legjitimitet. Rezultati është i qartë: humbje, demotivim dhe largim i anëtarësisë”, u shpreh Veliu.
Veliu ka theksuar se për herë të parë në historinë e zgjedhjeve parlamentare, LDK në Podujevë nuk ka arritur të sigurojë përfaqësim në Kuvendin e Kosovës.
“Kjo është alarm serioz dhe kërkon reagim të menjëhershëm”, tha ai.
Në këtë kontekst, Veliu ka kërkuar marrje përgjegjësie politike, hapje të degës ndaj anëtarësisë dhe organizim të zgjedhjeve të lira dhe transparente.
“Kjo është thirrje për shpëtim politik të LDK-së. Heshtja dhe nënshtrimi përballë dështimit vetëm sa e thellojnë krizën”, ka deklaruar ai.
Ai ka theksuar se është i gatshëm të kontribuojë me përvojën e tij politike për reformimin dhe rikthimin e besimit të humbur.
“Nuk kërkoj privilegje. LDK nuk i përket një individi apo një grupi të vogël. Ajo është e anëtarëve dhe votuesve të saj”, përfundoi Veliu.