Albin Kurti: Eksporti i shërbimeve të TIK-ut u rrit me 386% – Teknologjia, sektori me rritjen më të shpejtë në vend

17:56 | 29 Janar 2026
albin-kurti:-eksporti-i-sherbimeve-te-tik-ut-u-rrit-me-386%-–-teknologjia,-sektori-me-rritjen-me-te-shpejte-ne-vend

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se sektori i teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK) po shndërrohet në një nga shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik të vendit, duke shënuar rritjen më të shpejtë në vitet e fundit, shkruan Gazeta 10.

Sipas Kurtit, eksporti i shërbimeve të TIK-ut është rritur me 386% në katër vitet e fundit, apo gati është pesëfishuar, çka dëshmon potencialin e madh të këtij sektori për t’u bërë motor kyç i rritjes së mëtutjeshme ekonomike.

Ai bëri të ditur se sektori i TIK-ut, së bashku me shërbimet profesionale dhe mbështetëse, kontribuon me rreth 6% në Bruto Produktin Vendor të Kosovës. Kurti theksoi gjithashtu se punësimi në teknologji ka efekt multiplikues, duke nxitur krijimin e vendeve të reja të punës edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë.

“Në këtë drejtim, mbështetja për sektorin e teknologjisë mbetet prioritet i qartë i Qeverisë sonë edhe në mandatin e ardhshëm, veçanërisht përmes Fondit të Inovacionit dhe projektit të Kullës TIK (ICT Tower)”, u shpreh Kurti.

Këto deklarata, kryeministri i bëri gjatë vizitës së sotme në Qendrën e Inovacionit në Kosovë (ICK), ku u njoh nga afër me “Pasqyrën e Ekonomisë Digjitale” të prezantuar nga Data4X./Gazeta 10

Komento: