
Prokurorit të pezulluar nga detyra, të Prokurorisë Themelore në Prizren, Beqë Shala, i është vazhduar masa e arrestit shtëpiak edhe për dy muaj.
Kështu ka vendosur gjyqtari i procedurës paraprake nga Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Lutfi Shala, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Vazhdohet masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 2 muaj, ashtu që sipas këtij aktvendimi masa e arrestit shtëpiak do të zgjasë nga 25.01.2026 deri 24.03.2026. I pandehuri, Beqë Shala, nuk guxon të largohet nga lokalet apo vendbanimi i tij, të theksuara si më lartëpa lejen e gjykatës dhe i ndalohet cdo kontakt me personat me të cilët nuk jeton apo të cilët nuk janë të varur nga i njëjti”, thuhet në aktvendim.
Shala gjendet në arrest shtëpiak nga data 26 nëntor 2025.
Ndërsa, arrestimi i tij ka ndodhur më 27 tetor 2025 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, gjatë zhvillimit të një hulumtimi nga “Betimi për Drejtësi” që posedon video-incizim të prokurorit Shala, duke pranuar ryshfet. Video-incizimi ngre dyshimet se ryshfetin e pranoi nga avokatja Drenushë Berisha, për ndërprerjen e masës së ndalimit prej 48 orësh ndaj klientit të saj.
Në video-incizimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, pasi avokatja ia prezantonte 700 euro të marra nga pala mbrojtëse për shërbimet e avokatisë, prokurori Beqë Shala kishte vendosur t’i ndante në dy pjesë. Mirëpo, avokatja Berisha tregohej zemërgjerë duke insistuar që t’ia jepte gjithë shumën.
Prokurori Shala: Sa i ki?
Avokatja Berisha: 200.
Prokurori Shala: 250. Sa the?
Avokatja Berisha: 700 unë ja kom marrë deri në fund të procedurës.
Prokurori Shala: Ahaa, këtu kenë 200, 350. Hajr i koftë, ishalla ia shohim hajrin”.
Burimet të “Betimit për Drejtësi” kishin treguar se i pandehuri Shala e kishte pranuar se është ai në video-incizim./ BetimipërDrejtësi