
Po vazhdon operacioni për gjetjen e trupit të 30-vjeçarit Jurgen Karaj, i cili dyshohet se është rrëmbyer nga rrjedha e ujit të lumit Mat në Shqipëri.
Në këtë operacion të kërkim-shpëtimit që nga 29 janari është përfshirë edhe Forca e Sigurisë së Kosovës. Atje sot ka qëndruar ministri në detyrë i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci i cili së bashku me homologun e tij nga Shqipëria takuan ushtarakët nga të dyja shtetet që janë pjesë e operacionit.
“Sot së bashku me ministrin Pirro Vengu takuam ushtarakët e njësive të Republikës së Shqipërisë dhe të Kosovës, të cilët po vazhdojnë kërkimet për gjetjen e trupit të 30-vjeçarit të zhdukur në zonën e Klosit. Forca e Sigurisë së Kosovës, që nga data 29 janar, ka zbarkuar në zonën e operacionit me njësinë e kërkim-shpëtimit me personel të specializuar për kërkime në ujëra, skanerë dhe dronë nënujorë. Kërkimet do të vazhdojnë dhe personeli ynë është në krye të detyrës”, shkruan Maqedonci në Facebook.