Bekim Jashari reagon ashpër ndaj Gjykatës Speciale: UÇK-ja është e pastër, drejtësia nuk duhet të barazojë viktimën me agresorin

03:39 | 11 Shkurt 2026
bekim-jashari-reagon-ashper-ndaj-gjykates-speciale:-uck-ja-eshte-e-paster,-drejtesia-nuk-duhet-te-barazoje-viktimen-me-agresorin

Bekim Jashari ka reaguar ashpër ndaj pretendimeve të Prokurorisë së Gjykatës Speciale lidhur me luftën çlirimtare në Kosovë, duke i cilësuar ato si të rrezikshme dhe të ndikuara nga propaganda serbe, shkruan Gazeta 10.

Sipas tij, akuzat e ngritura janë vazhdimësi e narrativave që, siç u shpreh, kanë depërtuar padrejtësisht edhe në institucionet ndërkombëtare të drejtësisë. Jashari theksoi se çdo vendim i kësaj gjykate duhet të mbështetet në fakte dhe argumente, të cilat, sipas tij, janë në anën e popullit të Kosovës dhe luftës për liri.

Ai rikujtoi se UÇK-ja u krijua nga populli për çlirim dhe fitoi mbështetjen ndërkombëtare, duke bashkëpunuar me NATO-n për t’i dhënë fund luftës dhe për të sjellë paqen. Sipas Jasharit, kjo përbën dëshmi se Kosova nuk ishte agresore dhe se lufta ishte e drejtë dhe në përputhje me ligjet ndërkombëtare.

Në deklaratën e tij, Jashari akuzoi Serbinë për krime të rënda gjatë luftës, duke përmendur vrasjen e mbi 10 mijë shqiptarëve, qindra masakra ndaj civilëve, dëbimin e rreth një milion njerëzve nga shtëpitë e tyre dhe dhunën seksuale ndaj mijëra grave e vajzave.

Ai shtoi se drejtësia ndërkombëtare nuk duhet të barazojë viktimën me agresorin dhe se, sipas tij, askush nuk mund të dënohet “në emër të këtij populli”, pasi UÇK-ja, siç tha, ishte vetë populli dhe përfaqësonte vullnetin për liri./Gazeta 10

Postimi i plotë:

Komento: