RTK del me njoftim sqarues për largimin nga puna të dy gazetareve

17:55 | 16 Shkurt 2026
rtk-del-me-njoftim-sqarues-per-largimin-nga-puna-te-dy-gazetareve

Radiotelevizioni i Kosovës ka dalë me një sqarim lidhur me skadimin e kontratave të punës të gazetareve Edina Avdiu dhe Hana Marteti.

Sipas njoftimit, RTK thotë se nuk bëhet fjalë për shkëputje të kontratës por, për mos vazhdim të tyre pas skadimit të afatit të përcaktuar.

“Kontratat në fjalë kanë qenë me afat të caktuar dhe kanë përfunduar në përputhje të plotë me afatin e përcaktuar dhe me dispozitat ligjore në fuqi. Në këtë rast nuk bëhet fjalë për shkëputje të kontratave të punës, por me mosvazhdimin e tyre pas skadimit të afatit të përcaktuar”, thuhet në njoftim nga Drejtoria e RTK-së.

RTK sqaron se ekziston dallim thelbësor juridik ndërmjet skadimit të kontratës sipas fuqisë ligjore dhe shkëputjes apo ndërprerjes së kontratës nga punëdhënësi.

“Ky dallim përbën koncept bazik të së drejtës së punës dhe i njohur në praktikën juridike dhe gjyqësore. Mosvazhdimi i këtyre kontratave është bërë në kuadër të procedurave të rregullta administrative dhe menaxheriale, mbi bazën e vlerësimeve të brendshme profesionale të dhomës së lajmeve, pa asnjë ndikim apo ndërhyrje nga jashtë. Gjithashtu, RTK ka respektuar në plotëni dispozitat e kontratave të gazetareve, rregullativën e brendshme të RTK-së, si dhe dispozitat e Ligjit Nr. 03/L-212 i Punës në Kosovë”, thuhet në njoftim nga Drejtoria e RTK-së.

Komento: