
Magdalena Urdangaray, nëna e argjentinases së vrarë në Fushë Kosovë nga i dashuri i saj, ka falënderuar institucionet e Kosovës për drejtësinë e vendosur për vajzën e saj pasi Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallë aktgjykim dënues prej 18 vitesh ndaj Endrit Nikës.
Në një deklarim për gazetarët, ajo tha se kanë besuar në drejtësinë kosovare dhe falënderoi prokurorin për punën e tij.
“Ka qenë vështirë që nga fillimi. Por, ne gjithmonë kemi besuar në drejtësinë e Kosovës. E vlerësojmë shumë punën e prokurorit që gjithmonë është përkushtuar dhe sot e ka dëshmuar angazhimin e tij dhe me të gjitha provat gjithmonë e ka mbështetur të vërtetën. Klara e ka marrë drejtësinë dhe falënderojmë të gjithë autoritetet e Kosovës për një drejtësi dhe gjithë shoqërisë për mbështetjen e marrë. Faleminderit Kosovë!”.
E pyetur nëse janë të kënaqur me dënimin, babai i të ndjerës tha: “Vajza jonë vazhdon të jetë e vdekur, asgjë s’mund të na ngushëllojë e ai vazhdon të jetojë”.
Ndërkaq Magdalena Urdangaray tha se në vendin e saj vrasja e një gruaje dënohet me dënim të përjetshëm dhe se këtë do ta kërkojnë edhe në Kosovë.
“Kurrë nuk mund të dënohet aq sa meriton. Kjo është diçka për të cilën duhet të konsultohemi me avokatin tonë, por gjithsesi me shumë gjasë do ta apelojmë këtë vendim. Në sistemin tonë gjyqësor në Argjentinë, vrasja e një gruaje, pra femicidi, dënohet me burgim të përjetshëm. Gjithsesi do të kërkojmë burgim të përjetshëm”, tha ajo.
Sipas aktakuzës së ngritur më 11 shkurt 2025 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Endrit Nika akuzohej se më 1 gusht 2023 në një hotel në Fushë-Kosovë, pas një mosmarrëveshje paraprake me të dashurën e tij- tani të ndjerën M.K-U., të cilën paraprakisht e godet në vazhdimësi dhe tenton ta shkelë me veturë tek parkingu jashtë hotelit, dhe pasi që hyjnë në hotel- në dhomën ku ishin duke që ndruar, i pandehuri Nika me dashje që ta privojë nga jeta tani të ndjerën M.K-U ka vazhduar përleshjen dhe goditjet ndaj të dëmtuarës, duke e dërguar në qoshe të dhomës nga ku nuk ka pasur mundësi të largohet dhe nga goditjet dhe shtyrjet që i ka bërë tani të ndjerës M. K-U., e ka nxjerrë kornizën e dritares duke e hedhur të ndjerën nga dritarja e dhomës së hotelit nga kati i gjashtë. Me ç’rast, tani e ndjera si pasojë e lëndimeve edhe përkundër trajtimit mjekësor ka ndërruar jetë në QKUK.