44.6 milionë euro buxhet për Ministrinë e Drejtësisë, Gërvalla: Sundimi i ligjit nuk është opsion, por detyrim i Republikës së Kosovës

15:25 | 20 Shkurt 2026
44.6-milione-euro-buxhet-per-ministrine-e-drejtesise,-gervalla:-sundimi-i-ligjit-nuk-eshte-opsion,-por-detyrim-i-republikes-se-kosoves

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla ka theksuar se sundimi i ligjit është detyrim themelor i Republikës së Kosovës dhe kusht për ndërtimin e institucioneve të forta dhe funksionale.

“Sundimi i ligjit nuk është opsion, por detyrim i Republikës së Kosovës. Është detyrë e pamohueshme dhe e domosdoshme për të garantuar drejtësi të barabartë, për të eliminuar vonesat, procedurat burokratike dhe pengesat politike, për të luftuar korrupsionin në çdo nivel, krimin e organizuar dhe çdo abuzim tjetër me pushtetin”, ka shkruar Gërvalla në një postim në Facebook.

Ajo ka theksuar se një sistem i fortë drejtësie është bazë për një shtet funksional.

“Pa një sistem të fortë drejtësie, nuk ka shtet të fortë ligjor”, ka shtuar ministrja.

Gërvalla ka bërë të ditur se buxheti për Ministrinë e Drejtësisë për vitin 2026 është rritur ndjeshëm, duke arritur në 44.6 milionë euro, krahasuar me 29 milionë euro sa ishte në vitin 2020.

Sipas saj, këto mjete do të shërbejnë për forcimin e kapaciteteve institucionale, zbatimin më efektiv të reformave në drejtësi, përshpejtimin e digjitalizimit, mbështetjen e sistemit korrektues dhe mekanizma më të fortë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në fund, ministrja ka theksuar se ligji është i panegociueshëm dhe se askush nuk mund të jetë mbi të. “Në Republikën e Kosovës, ligji nuk negociohet. Askush nuk guxon të jetë mbi ligjin”, ka përfunduar ajo. /Telegrafi/

Komento: