
Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë në pritje të ftesës së liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministrit Albin Kurti, për nisjen e konsultimeve lidhur me zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Ani pse Kurti ka shtatë ditë që kishte paralajmëruar nisjen e konsultimeve me partitë parlamentare për zgjedhjen e shefit të shtetit, në këto dy parti thonë se deri tani nuk ka pasur takime formale mes subjekteve politike. Në Lëvizjen Vetëvendosje nuk kanë treguar se kur Kurti do t’i ftojë partitë për konsultime.
Partia e Kurtit ka pushtetin në vend, derisa mazhoranca e udhëhequr nga ai ka 66 deputetë në Kuvend. Presidentja Vjosa Osmani ka mandat deri më 4 prill 2026, mirëpo sipas Kushtetutës zgjedhja e presidentit duhet të bëhet një muaj para përfundimit të mandatit, në këtë rast më 4 mars. Në të kundërtën, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
Presidentja Osmani është e vetmja deri tani që ka shfaqur ambicie për të rikandiduar edhe për një mandat tjetër pesëvjeçar, megjithatë e njëjta nuk ka siguruar 30 nënshkrime të deputetëve për të zyrtarizuar kandidaturën e saj.
Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, thotë për KosovaPress, se subjekti i tij do të marrë pjesë në çdo takim që thirret për çështjen e presidentit, por ka theksuar se zgjedhja duhet të vijë si rezultat i një marrëveshjeje politike.
I pyetur nëse kanë votë për Vjosa Osmanin, Behrami tha se deri më tani nuk ka pasur kandidaturë zyrtare nga partitë që kanë fituar ulëse në Kuvend. Sipas tij, figura e presidentit apo presidentes duhet të jetë personifikim i unitetit të qytetarëve.
Në pritje të një ftese zyrtare janë edhe në LDK. Deputeti Armend Zemaj ka deklaruar se procesi i zgjedhjes së presidentit u takon të gjitha subjekteve parlamentare, por mënyra e arritjes së konsensusit duhet të jetë produkt i negociatave politike. Ai ka konfirmuar se brenda LDK-së ende nuk ka një vendim për kandidat, përfshirë edhe Vjosa Osmanin./KP