
Finalizohet operacioni policor i koduar “Brotherhood”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se janë arrestuar dy persona në flagrancë, ndërkaq janë sekuestruar rreth 57 kg lëndë narkotike kanabis dhe 1 armë zjarri automatike.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, për dy shtetas që dyshohet se merreshin me transport dhe shitje të lëndës narkotike, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar ‘Brotherhood’. Shërbimet e Policisë ndaluan dhe kontrolluan automjetin e dyshuar tip “Volkswagen Touran”, me të cilin udhëtonin shtetasit F. M. dhe L. L”, thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se nga kontrolli i automjetit u gjet dhe u sekuestrua, në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, e përgatitur për shitje.
“Në vijim të operacionit dhe veprimeve procedurale, nga kontrolli i ushtruar në banesën e shtetasit F. M., banues në fshatin Trevllazër, Vlorë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi tjetër kanabisi, gjithsej rreth 57 kg lëndë narkotike e dyshuar kanabis. Gjithashtu, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit L. L., banues në fshatin Mavrovë, Vlorë, u gjet dhe u sekuestrua 1 armë zjarri automatike, model 56, së bashku me një karikator me 30 fishekë luftarakë”.
Në përfundim të veprimeve, u arrestuan në flagrancë shtetasit: -F. M., 41 vjeç, banues në fshatin Trevllazër, Vlorë; -L. L., 40 vjeç, banues në fshatin Mavrovë, Vlorë, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.