
Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pasi zhvilloi një takim me kryeministrin Albin Kurti, lidhur me procesin e zgjedhjes së Presidentit.
Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku bëri të ditur se procesi i zgjedhjes së Presidentit po zhvillohet brenda një afati të kufizuar kohor dhe se kanë mbetur më pak se nëntë ditë për të arritur një zgjidhje.
“Procesi i zgjedhjes së Presidentit po zhvillohet brenda një afati të kufizuar kohor. Na kanë mbetur më pak se 9 ditë për të arritur një zgjidhje. Prandaj, në këtë kohë të shkurtër kërkohet përgjegjësi e lartë politike, e cila nënkupton qartësi, maturi dhe vullnet për kompromis, në mënyrë që të shmanget çdo rrezik për paqëndrueshmëri institucionale”, tha ai.
Kreu i LDK-së tha se partia e tij vlerëson se ekzistojnë dy rrugë të qëndrueshme përpara, arritja e një konsensusi të gjerë parlamentar rreth një emri të përbashkët për President ose një marrëveshje politike ndërmjet partive parlamentare.
“Është thelbësore të kuptohet se Presidenca duhet të mbetet institucion që garanton ndarjen e pushteteve dhe shërben si faktor uniteti për vendin, e jo si vazhdim i shumicës qeverisëse. Në këtë frymë, dhe në përputhje me deklaratën politike të miratuar në Kuvendin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK vlerëson se ekzistojnë dy rrugë të qëndrueshme përpara: ose një konsensus i gjerë parlamentar rreth një emri të përbashkët për President, ose një marrëveshje politike ndërmjet partive parlamentare. Në të dyja rastet, kërkohet mbështetja e së paku dy të tretave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës; dhe ditët në vijim do të na tregojnë se cila rrugë do të jetë e mundshme. Nëse asnjëra, vendit i vijnë zgjedhjet, një skenar i panevojshëm në këtë kohë. LDK do të veprojë në këtë proces me përgjegjësi shtetërore, transparencë të plotë dhe vullnet për gjetjen e një zgjidhjeje, duke pasur si prioritet absolut ruajtjen e stabilitetit institucional dhe interesin e Republikës së Kosovës”, shkroi Abdixhiku